IKD reagon ndaj disa vendimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

IKD reagon ndaj disa vendimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës

Organizata joveveritare, Instituti i Kosovës për Drejtësi, ka reaguar ndaj disa vendimeve të Këshillit Gjyqësor të Kosovës në mbledhjen e mbajtur sot, pasi thonë se bien në kundërshtim me parimet dhe kriteret kushtetuese, me ligjin dhe dokumentet e politikave të rishikimit funksional të sundimit të ligjit në Kosovë, njofton Insajderi.

Këto veprime kanë të bëjnë, sipas IKD-së, me ngritjen në detyrë të shtatë gjykatësve nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë, në Departamentet Speciale të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Apel, kthimin e një gjykatësi në Gjykatën Themelore në Pejë, votimin kundër për shpalljen e konkurseve për kryetar të tri gjykatave themelore, asaj në Prizren, Prishtinë dhe Ferizaj.

Komunikata e plotë nga Instituti i Kosovës për Drejtësi:

“Instituti i Kosovës për Drejtësi (IKD) reagon ndaj një varg vendimeve të miratuara nga Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), në mbledhjen e 244-të të mbajtur më 21 dhjetor 2020, në kundërshtim me parimet dhe kriteret e përcaktuara në Kushtetutë, ligj dhe dokumentet e politikave të rishikimit funksional të sundimit të ligjit në Kosovë, të miratuara ndër të tjera nga vet ky këshill.

Vendimet e kundërligjshme të KGJK-së apo në kundërshtim me politikat e miratuara nga i njëjti mekanizëm ndërlidhen me ngritjen në detyrë të shtatë (7) gjykatësve nga Departamenti për Krime të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë në Departamentet Speciale të Gjykatës Themelore në Prishtinë dhe Apel, kthimin e një gjykatësi në Gjykatën Themelore në Pejë, votimin kundër për shpalljen e konkurseve për kryetar të tri (3) Gjykatave Themelore, asaj në Prizren, Prishtinë dhe Ferizaj.

Shkatërrimi i Departamentit për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë:

Departamenti për Krime të Rënda në Gjykatën Themelore në Prishtinë deri me sot ka pasur 13 gjykatës që kanë trajtuar lëndët e krimeve të rënda. Nga sot ky departament do të ketë vetëm gjashtë (6) gjykatës, kjo pasi gjashtë (6) gjykatës të këtij departamenti, dhe kryetarja e Gjykatës Themelore në Prishtinë sot janë ngritur në detyrë në Departamentet Speciale të kësaj gjykate dhe në Apel, kurse një gjykatëse është kthyer në Gjykatën Themelore në Pejë.

Gjatë vitit 2020 Ministria e Drejtësisë në bashkëpunim me Këshillin Gjyqësor dhe Këshillin Prokurorial të Kosovës (KPK) kanë miratuar dokumentet e politikave lidhur me Rishikimin Funksional të Sektorit të Sundimit të Ligjit në Kosovë, i cili dokument është rezultat i një analizë të thellë, përmbajtësore dhe të arsyetuar mirë lidhur me gjendjen aktuale në sistemin e drejtësisë në Kosovë. Këto dokumente të miratuara së shpejti priten të finalizohen në Strategji për Sektorin e Sundimit të Ligjit në Kosovë, e para e këtij lloji që nga pas lufta. Pjesë e këtyre dokumenteve janë edhe një varg rekomandimesh që KGJK do të duhej të ndërmerrte për të përmirësuar efikasitetin, transparencën, llogaridhënien dhe integritetin e sistemit gjyqësor në Kosovë.

Sipas dokumenteve të politikave të miratuara edhe nga vet KGJK, Gjykata Themelore në Prishtinë është njëra prej shtatë gjykatave në Kosovë, e cila dhe i ka katër degë: Gllogovc, Graçanicë, Podujevë dhe Lipjan. Departamenti i Krimeve të Rënda i Gjykatës Themelore në Prishtinë është më i ngarkuari departament me lëndë të pazgjidhura në Kosovë, me 44% e të gjitha lëndëve apo 4091 lëndë të pazgjidhura në të gjitha departamentet e krimeve të rënda të gjykatave themelore të Kosovës. Megjithatë, numri i gjyqtarëve në Departamentin e Krimeve të Rënda të GjTh në Prishtinë ishte 14 ose 32% të numrit të gjyqtarëve të caktuar në departamentet e krimeve të rënda në nivel kombëtar.

Një ndër qindra rekomandime të Rishikimit Funksional ishte edhe kërkesa që të përmirësohen kapacitetet e të dy këshillave, kryetarëve të gjykatave dhe kryeprokurorëve për planifikime strategjike bazuar në të dhëna të tilla (burimet njerëzore, politikat buxhetore dhe vendimet arsyetohen bazuar në ngarkesën me lëndë dhe performancën në gjykata dhe prokurori). Sipas analizës përmbajtësore të rishikimit funksional, ekziston një dallim i madh mes gjykatave dhe prokurorive lidhur me grumbullimin e lëndëve dhe ngarkesës me lëndë. Jo të gjitha gjykatat kanë vështirësi me ngarkesë në punë. Është me rëndësi të vlerësohen dhe analizohen gjykatat ndaras (duke përfshirë nivelet e departamenteve) dhe të ndërmerren masa ndaras. Ajo që është më me rëndësi, Gjykata Themelore në Prishtinë përbën një rast të veçantë i cili ka nevojë për vëmendje, pasi që në të përqendrohet shumica e ngarkesës me lëndë (dhe grumbullimi i lëndëve) në nivel kombëtar, ashtu siç është paraqitur në kapitullin i cili i referohet përcaktimit të problemit. Duhet të përmirësohet ndërlidhja mes ngarkesave me lëndë dhe caktimit të burimeve në gjykatat në Kosovë, posaçërisht në Gjykatën Themelore në Prishtinë.

KGJK në kundërshtim me tërë këto rekomandime, pa asnjë analizë për të vlerësuar dëmet që mund t’i shkaktohen Departamentit për Krime të Rënda, ka vendosur që tetë (8) gjykatës të këtij departamenti t’i shpërndaj në departamente tjera, duke e lenë këtë departament në vetëm gjashtë (6) gjykatës.

Departamenti për Krime të Renda në Gjykatën Themelore në Prishtinë aktualisht ka 1,444 lëndë të pazgjidhura, të cilat do të duhet të trajtohen nga gjashtë (6) gjykatësit e mbetur. Sipas KPPRK, në çdo rast penal kur ndryshohet trupi gjykues apo ndryshohet Kryetari i Trupit Gjykues, atëherë lënda duhet të kthehet në pikën zero, me ç’rast duhet anuluar apo shpallur të pavlefshme të gjitha seancat gjyqësore që janë mbajtur më herët. Me vet faktin që shtatë (7) gjykatës të këtij departamenti do të largohen, pothuajse rreth 60% të lëndëve në punë do të kthehen në gjykim nga fillimi./Insajderi.com