Katër të rinj nga një fshat i Rahovecit dhe katër të tjerë nga fshatra të rrethinës së kryeqytetit janë kthyer të hënën në Kosovë, pasi kanë dështuar që të dalin në ndonjë vend të BE-së. Ky është rrëfimi i tyre për Insajderin
Autobusi i orës 12:00 që niset nga Beogradi për në Prishtinë është i mbushur me nja 30 udhëtarë, Shumica e tyre serb, po e bëjnë një udhëtim të zakonshëm: kthim ose vizitë në Prishtinë.
Por tetë prej tyre po ktheheshin aty nga ku kanë ikur.
“Para tre dite kemi ikur nga Kosova. Normal për mos me u kthy mo, por qe…”, thotë D.K një 22 vjeçar nga fshati Zoqishtë në Rahovec.
Ai është në shoqëri të tre bashkëmoshatarëve nga i njëjti fshat. Të katërtit kishin marrë vendimin që të marrin rrugën e emigrimit ilegal.
“Në orën 6:30 jemi nisur nga Prizrenri kemi ardhur në Prishtinë e më pas prej Prishtine në Beograd”, fillon rrëfimin D.K i cili nuk dëshiron të dalë publikisht për të treguar historinë e tij.
Në fakt këtë problem e kanë që të tetë të rinjtë. Katër të tjerët janë nga fshati Shushicë.
Pajtimi, është njëri nga ta. Është 27 vjet. Kjo është hera e dytë që Pajtimi ikë ilegalisht nga Kosova duke u nisur drejt vendeve të perëndimit. Herën e parë kishte arritur të dalë në Gjermani.
“Jam pas ikë në vitin 2015. Kam shkuar në Gjermani në një qytet të quajtur Kempten. Kam ndejt atje 7 muaj deri sa më erdhi letra obligative që të kthehem. U ktheva dhe prapë tash deshta të dalë. Por nuk ka shans”, thotë Pajtimi.
“Nuk është sikur në vitin 2015”
Pajtimi ka marrë rrugën drejt Hungarisë së bashku me vëllanë e tij dhe dy kushëri. Fakti që Pajtimi ka një përvojë në kalimin ilegal të kufirit ka bërë që ata të marrin një rrugë tjetër drejt Serbisë.
“Fillimisht kemi shkuar në Shkup, pastaj prej atje në Beograd. Nga Beogradi kemi shkuar në Suboticë dhe pastaj ia kemi mësyer Hungarisë”, rrëfen Pajtimi.
“Por nuk kishe shans me dalë. Krejt kufirin e kanë bo me tela të KFOR-it edhe me rrymë. Plus u enshin policia me alarme krejt kohën. Thjesht nuk kishe asnjë shans”, ndërhynë kushëriri i Pajtimit.
Ata duken të lodhur dhe paksa të zhgënjyer që nuk ia kanë arritur të dalin në Hungari dhe mbi të gjitha për faktin se po kthehen në Kosovë.
“Çka me bo në Kosovë. Nuk ka punë nuk ka asgjë. Pa asnjë shpresë”, thotë Pajtimi.
Përpos gjumit që e kanë bërë në park, ai ka një kujtim nga ky udhëtim që e ka prekur shumë.
“Kur Ramushi u votu si kryeministër, ne kemi në Suboticë. E kam dëgjuar duke folur Serbisht duke iu drejtuar serbëve e ne vuanim nga manipulimet që na bëheshin në Suboticë”, thotë Pajtimi.
Sipas tij, krahasuar nga vitit 2015, gjithçka ka ndryshuar atje, që nga trajtimi e deri tek çmimet e fryra të taksistëve.
“80 euro na ka marrë taksi në Suboticë për të na dërguar deri te vendi ku duhet të ecnim. E kemi këqyrë GPS-in në telefon, e dinim që po na mashtron por nuk kishim ndonjë zgjidhje tjetër”, thotë D.K nga Zoqishta e Rahovecit.
Dikush tjetër përmend edhe kontrabanduesit shqiptar, të cilët edhe kanë mashtruar të rinj kosovar.
Pajtimi thotë se ka një video të një personi që e njihnin si Xhimi.
“Është shqiptar ai dhe nja 15 të rinjve ia ka marrë nga 200 euro për ti dërgu deri të kufiri me Hungarinë por vetëm i ka marrë paratë dhe është zhdukur”, thotë ai.
“E videon nuk e qes niher pa e dit sigurt se çka kam incizuar. Nuk kam bateri qe 24 orë”, thotë ai.
Në fakt, problemi me baterinë e telefonit u ka kushtuar edhe katër të rinjve të tjerë nga Zoqishtë e Rahovecit.
“300 euro për të humbur”
R.G është vetëm 18 vjecar. I papunë. Bashkë me tre kushërinjtë e tij kishin marrë rrugën për të ikur nga vendi.
Ai thotë se nuk e sheh asnjë të ardhme në vendin e tij. Kur Insajderi i pyet nëse themelimi i Qeverisë së re, e drejtuar nga Ramush Haradinaj ka ndonjë kuptim për ta, përgjigja e tyre është e mbushur me tone dëshpëruese.
“Nuk ka të bëjë me Qeveri. Në Kosovë problemi është më i madh, nuk ka punë. Nuk ka sen. Ne vetëm po kërkojmë një jetë më të mirë”, thotë ai.
R.G dhe D.K bashkë me dy kushërinjtë e tjerë kanë arritur të shkojnë deri në malet e Kroacisë.
“Me GPS kemi shkuar”, thotë ai.
Në Suboticë kanë qëndruar një natë.
“Tek Hoteli Petrovic a se di qysh e pat emrin”, thotë D.K.
Të katërtit kishin pasur në plan të përdornin telefonat e mençur që janë të pajisur me GPS duke u mundësuar ecjen nëpër rrugën e drejtë edhe atëherë kur nuk kanë internet. Por udhëtimi kishte zgjatur më shumë sesa zakonisht.
“Na lëshoj bateria telefonin dhe mbetëm të humbur në disa male. E dinim se ishim në Kroaci por nuk e kishim idenë se nga të shkojmë. Kështu që u kthyem nga kemi ardhur”, thotë D.K.
Të katërt kushërinjtë nga fshati i Rahovecit thonë të kenë shpenzuar afro 300 euro secili për ta bërë këtë udhëtim. I bie që kanë shpenzuar 1 mijë e 200 euro që të katërtit.
“Normal që kthimi tash nuk është i lehtë. Kemi marrë borxhe dhe ato duhet me i kthy”, thotë D.K.
“Kufiri i dytë që duhet kaluar këmbë”
Autobusi nga Beogradi në Prishtinë arrin në Merdare rreth orës 17:00. Pikërisht për shkak të kësaj “vale” të re emigrimi, autoritetet kosovare dhe serbe kanë marrë vendim që të ndalojnë qarkullimin e autobusëve nga Prishtina në Beograd dhe anasjelltas.
Kësisoj, autobusi me të cilin udhëtarët kanë hipur në Beograd ndalet pikërisht në Merdare. Kufiri kalohet në këmbë nga udhëtarët teksa një autobus tjetër andej kufirit në Kosovë. E njëjta procedurë është edhe për autobusët që vijnë nga Kosova drejt Serbisë.
“Po më doket sikur po e kaloj edhe një kufi tjetër ilegal, në këmbë”, thotë një nga ta.
Kur arrijnë tek pika e kufirit në Kosovë, policët kanë një shprehje për të gjithë ata për të cilët dyshojnë se po kthehen nga ky Subotica.
“Edhe ti prej atjeshit po kthehesh a?”, është pyetja e policit kosovar për të rinjtë.
Tetë të rinjtë nuk duken të lumtur që po hynë në Kosovë. Megjithatë nuk u mungon humori.
Por Pajtimi, një prej tyre ka një mesazh.
“Mos e provoni. Është tmerr. Nuk ka shans me kalu”, thotë ai.
Megjithatë të gjithë të kthyerit kanë lënë prapa në Suboticë dhjetëra kosovar të cilët ende shpresojnë të kalojnë kufirin me Hungarinë e nga aty marrjen e rrugës drejt ndonjë vendi të BE-së./Insajderi.com