Pa marrë parasysh afinitetet individuale që secili prej nesh mund t’i këtë në koloritin e pafund të rrymave arkitekturore, e që unë personalisht nuk bëjë pjesë tek ata të cilët janë shumë të dhënë pas asaj të arkitektes tashmë të ndjerë, në cilindo vështrim që do t’i bënim arkitekturës përgjatë zhvillimit të saj nëpër kohë, personalitete si Zaha Hadid nuk ka asnjë mundësi që të shmangen dhe të mos vlerësohen për kontributin e dhënë.
Vet vlerësimi me çmimet më prestigjioze të fushës së arkitekturës, duke filluar nga ai “Erich Schelling Architecture Award” (1994), “Pritzker Prize” (2004) e deri tek ai i fundit “RIBA Gold Medal” (2015), flasin mjaftueshëm për kontributin e saj të padiskutueshëm në avancimin e vlerave arkitektonike.
Zaha, edhe pse në shikim të parë mund të duket se e braktisi profesionin fillestar të saj, atë të matematicientes, veprat e saj në fushën e arkitekturës vërtetojnë të kundërtën.
Ajo vërtetoj më mirë se askush më parë se arkitektura është matematikë dhe matematika është thelbi i secilit art. Arkitektura e saj paraqet shkrirjen pothuajse hyjnore të matematikës – përmes parametrizimit, teknologjisë dhe hapësirës.
Ajo i jep një përgjigje më mirë se kushdo tjetër nëse arkitektura është shkencë, art apo filozofi.
Sipas saj arkitektura është modelim i hapësirës në funksion të së cilës vijnë në ndihmë matematika, teknologjia, dhe filozofia duke u shkrirë në një. Ajo vërtetoj më mirë se kushdo tjetër Walter Gropius-in se “arkitektura fillon aty ku mbaron inxhinieria”.
Linjat e saj krijojnë struktura aq të lehta vizuelisht saqë lënë përshtypjen se nuk kanë nevojë për kurrfarë konstruksioni. Ato duken si i mbas ajri i hapësirës së krijuar përbrenda! Duken se fluturojnë pa shkaktuar kurrfarë sforcimi mbi sipërfaqen e tokës!
Zaha, tregoi se një profesion i mbizotëruar përgjithësisht nga burrat, ka nevojë të patjetërsueshme për elegancën, ndjeshmërinë dhe butësinë e një femre.
Zaha, bëri në arkitekturën bashkëkohore atë që Orhan Pamuku bëri në letërsinë bashkëkohore. Tregoi se arti nuk duron paragjykime gjeografike lindje e perëndim, por vlerë dhe jo vlerë.
Zaha, deshi që edhe Prishtinën ta përfshijnë në hartën e arkitekturës bashkëkohore botërore.
Propozimi i saj në konkursin ndërkombëtar të para pak vitesh për Xhaminë e Madhe, ishte një ndër propozimet që do ta bënte një gjë të tillë padyshim.
Zaha, iku ashtu siç jetoi dhe krijoi: lehtë, pa zhurmë, si Zonjë!