IKSHPK: Cilësia e ujit të pijshëm është brenda standardeve të parapara

IKSHPK: Cilësia e ujit të pijshëm është brenda standardeve të parapara

Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës bën të ditur se cilësia e ujit të pijshëm është brenda standardeve të parapara, pavarësisht shqetësimeve të fundit të ngritura nga reshjet e dendura të shiut, njofton Insajderit.

Nga Instituti thonë se kanë sforcuar monitorimin e cilësisë së ujit për pije gjatë kësaj periudhe.

“Vlera e shtuar e turbullirës ndikon në procesin e ngadalësimit të trajtimit të ujit dhe rrjedhimisht zvogëlimin e kapacitetit prodhues (zvogëlim i sasisë së ujit të përpunuar), andaj kompanitë për arsye të pamundësisë së prodhimit me kapacitet të plotë janë të detyruar të aplikojnë restrikcione me orar të caktuar”, thuhet ndër të tjera në komunikatën e IKSHPK-së.

Tutje, thuhet se bunarët/puset janë të pa mbrojtura, të pa menaxhuara dhe me rrezik të lartë për kontaminim.

“Andaj luten qytetarët të kenë kujdes në shfrytëzimin racional të ujit dhe kursimin e tij si dhe në maksimum të kenë kujdes me shfrytëzimin dhe futjen e ujit në rrjet nga bunarët/puset, për arsye se cilësia e ujit në këto resurse është jo e sigurt e posaçërisht për shkak të turbullirës”, thuhet tutje në komunikatë./Insajderi.com