Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës i ka rekomanduar presidents, Vjosa Osmani, shtyerjen e zgjedhjeve lokale të 17 tetorit, përcjell Insajderi.com.
Në letrën që e ka siguruar KOHA, IKSHPK ka thënë se këtë rekomandim e kanë bërë në bazë të ndikimit që mund të ketë ky proces në rritjen e rasteve me COVID-19.
“Në bazë të analizës së situatës aktuale epidemiologjike të rasteve me COVID-19, bazuar në raportet e rasteve të hospitalizuara dhe vdekjeve nga SHSKUK dhe spitalet rajonale, dhe profeksioneve për muajin shtator deri në fillim të tetorit, Task Team i IKSHPK-së është i mendimit se mbajtja e procesit zgjedhor, i cili ngërthen në vete tubime publike dhe grumbullim të qytetarëve, paraqet rrezik për përhapjen dhe rritjen e infeksionit me COVID-19 e si pasojë edhe rritje të rrezikut të rasteve me fatalitet.
Prandaj, meqenëse procesi zgjedhor mund të ketë ndikim të shtuar në përhapjen dhe rritjen e rasteve me COVID-19, rekomandojnë shtyrjen e procesit zgjedhor, përkatësisht ndalimin e aktiviteteve publike, grumbullimit të qytetarëve dhe tubimet publike të të gjitha llojeve dhe natyrave pa përjashtim, deri në vlerësimin epidemiologjik të radhës”, ka thënë në letrën për presidenten IKSHPK-ja.