Ilaçi Remdesivir ende vetëm nëpër barnatore, flasin nga MSH

Ilaçi Remdesivir ende vetëm nëpër barnatore, flasin nga MSH

Ilaçi Remdesivir i cili po shërben për trajtimin e pacientëve të infektuar me COVID-19, po vazhdon të blihet nga vetë pacientët edhe pse që nga shtatori, ministri i Shëndetësisë në Qeverinë e Kosovës, Armend Zemaj, ka aprovuar propozimin për zbatim të masave të veçanta për furnizim me këtë ilaç, transmeton Insajderi.

Çmimi për një Remdesivir në muajin nëntor ka qenë nga 150 deri në 200 euro, dhe pacientët e kanë blerë vetë atë.

Zëdhënësi i Ministrisë së Shëndetësisë, Faik Hoti, ka thënë se fokusi kryesor gjatë këtij viti ka qenë që të furnizohen spitalet dhe nivelet e kujdesit parësor kryesish me terapi, të cilat janë në funksion të trajtimit të pacientëve me COVID-19 .

“Me qëllim të lehtësimit të procedurave për të siguruar terapi që kanë qenë të sugjeruara për pacientët me COVID-19, më 1 shtator ministri i Shëndetësisë ka aprovuar propozimin e një grupi profesional të AKPM-së, që në zbatim të masave të veçanta, AKPM-ja të lëshojë licencën e importit pa autorizim të marketingut për produktet si Remdesivir, Faripiravir dhe Hidroklorokin. Ky aprovim është bërë që të vlejë për periudhën gjatë pandemisë deri në shfuqizimin e vendimeve të Qeverisë për masat e veçanta që janë në fuqi që nga marsi i këtij viti”, tha Hoti për REL.

Derisa ka sqaruar këtë çështje, Hoti tregoi se cilat ilaçe kanë arritur t’i marrin këtë vit, jashtë listës esenciale, e të cilat kanë qenë të nevojshme për trajtimin e pacientëve me COVID-19.

“Ministria ka arritur të sigurojë rreth 12 mijë copë të ilaçit, Favipiravir derisa Remdesivir ka pasur import, por ai është shitur në barnatore private dhe ende nuk ka arritur në sektorin publik. Kjo për shkak se në ofertat e shpallura nga MSH-ja ka pasur tejkalim të shumave të parapara. Pra, operatorët kanë aplikuar me çmime shumë të larta, ndërkohë që çmimi i këtij produkti ka rënë. Ndërkaq, sa i përket Hidroklorokinës ka qenë në dispozicion të pacientëve që nga fillimi i pandemisë’’, bëri të ditur Hoti. /Insajderi.com