Kryetari i Lipjanit, Imri Ahmeti, ka deklaruar se sasia e substancës narkotike e llojit kokainë, e cila u sekuestrua gjatë së hënës në komunën që ai drejton, nuk e kishte atë destinacion, transmeton Insajderi.
Sipas tij, narkotikët kanë rastisur të kapen në Lipjan dhe se ka ndërprerje të parakohshme të aksionit në fjalë.
“Kjo është dukuri e keqe për të gjithë Kosovën, për të gjithë vendin, jo vetëm për Lipjanin. E keqja është se s’është dashur fare të lejohet të hyjë në kufi, sepse kur hyn në kufi, është pak e rëndësishme a është në Prishtinë, a në Lipjan apo ku është”, ka theksuar i pari i Lipjanit në një prononcim për Klan Kosovën.
Ahmeti madje ka treguar edhe për reagimin e qytetarëve lipjanas pas këtij aksioni.
”Shumica e qytetarëve e kanë marrë me batuta. Megjithatë të gjithë janë të vetëdijshëm që ky është një aksion më i gjerë, më i koordinuar siç janë deklaruar tashmë edhe prej DEA-s në SHBA atje e të tjerat në Kosovë”, ka pohuar ai.
Gjatë ditës së hënë, Policia e Kosovës pas një aksioni të përbashkët me autoritetet e Shqipërisë, Italisë dhe DEA amerikane kanë sekuestruar 400 kilogramë kokainë në Lipjan dhe kanë arrestuar shtatë persona./Insajderi.com