Inaugurohet Spitali për Fëmijë, Osmani falënderon Emiratet e Bashkuara Arabe

Inaugurohet Spitali për Fëmijë, Osmani falënderon Emiratet e Bashkuara Arabe

Të hënën është inauguruar Spitali për Fëmijë “Sheikha Fatima” në Prishtinë, donacion nga Emiratet e Bashkuara Arabe.

Me këtë rast, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në përurimin e Spitalit të Fëmijëve ka falënderuar Emiratet e Bashkuara Arabe që mundësuan ndërtimin e këtij spitali me kapacitet prej 100 shtretërish.

Sipas saj, me inaugurimin e këtij spitali është vulosur miqësia mes dy shteteve, ndërsa ka shtuar se nga tash fëmijët do të kenë një adresë të trajtimit me kapacitete më modern.

Ndërsa, ka theksuar ky është vetëm fillimi, ngase shpreson që bashkëpunimi do të vazhdojë edhe në fushat tjera ekonomike.

“Të vegjlit tanë dhe prindërit mund të flenë rehat sepse ky spital është modern e me teknologjinë e fundit. Tashmë fëmijët tanë do të kurohen në vendin tonë e jo në vendet e rajonit. Do të punojmë që ky spital të jetë sinonim i humanizmit, ku të gjithë do të ndihen të mirëseardhur”, është shprehur Osmani.

Në anën tjetër, kryeministri Albin Kurti, ka thënë se fëmijët janë e ardhmja e demokracisë, prandaj duhet punuar fort për ta.

“Me programin e Qeverisë ne jemi zotuar që do të kujdesemi për fëmijët. Ky projekt humanitar përveç përmirësimit të jetës së fëmijëve, është dëshmi për miqësinë e dy vendeve tona”.

Në ceremoni përveç Osmanit e Kurtit, mori pjesë edhe ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia. Ky i fundit ka thënë se është një ditë e rëndësishme për shëndetin e fëmijëve. Po ashtu ka njoftuar se spitali që po përurohet është më moderni në rajon në vlerë prej 22 milionë euro.

“Është një kontribut i madh dhe do të jetë një simbol i miqësisë mes dy vendeve tona. Është kontribut i disa gjeneratave me pajisje moderne për diagnostikë e trajtim të fëmijëve:.

Vitia më tej ka bërë thirrje për vaksinim kundër COVID19 të fëmijëve mbi 12 vjeç si dhe për nënat shtatzëna./Insajderi.com