Një incident ka ndodhur gjatë mesditës së sotme në sheshin ‘Skënderbej’ të Tiranës, ku një shofer ka hyrë brenda sheshit me një shpejtësi të madhe në një zonë pedonale, duke rrezikuar jetën e qindra qytetarëve, transmeton Insajderi.
Siç shihet prej pamjeve të publikuara nga mediat në Shqipëri, një djalë i ri i quajtur Klodian Alcani, ka bërë të mundur neutralizimin e tij.
Shoferi u neutralizua dhe në këtë moment dhjetra qytetarë kanë afruar dhe e kanë goditur, ndërsa incidenti është shmangur pa lëndime në qytetarë.
Roja i sigurisë private të Teatrit të Operas dhe Baletit ka qenë personi i parë me uniformë blu që ka ndërhyrë për të neutralizuar të dyshuarin 32-vjeçar, Arben Mema, i cili bëri veprime të pakontrolluara me automjetin e tij në sheshin Skëndërbej.
Ai tha se vetura ka ardhur në shesh nga stacioni i autobusave të Kamzës që qëndrojnë pas pallatit të Operas. Sipas tij në momentin kur e kanë neutralizuar ai i ka kërcënuar.
“Makina në shesh erdhi nga stacioni i autobuzave të Kamzës. Mua mu duke sikur po e ndiqte dikush. Këtu kas ardhur jashtë kontrollit. Kur u fut aty mendova është ndonjë terrorist. Kishte një tatuazh te krahu. M’u duk i pirë, ishte jashtë kontrollit”, tha ai, raporton abcnews.al.
“Shante, mbani mend çfarë do ju bëj. Më kërkuan prangat ata çuan që e ndaluan por unë nuk kisha pranga. Pritëm derisa erdhi policia. Për 4-5 minuta erdhi policia e Shtetit. Erdhi motori dhe pastaj erdhi furgoni që e ka shoqëruar në rajon. Dukej tamam si terrorist. Mendova do jetë ndonjë i paguar që po shkon drejt çadrës për të lënë ndonjë makinë bombë. Ata çunat bënë një punë të mirë”, deklaron ai.
32-vjeçari Arben Mema, dyshohet se ka qenë në gjendje të droguar pasi me vete i janë gjetur disa doza kanabis. /Insajderi.com