“Indikacione serioze për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi”

“Indikacione serioze për arritjen e marrëveshjes Kosovë-Serbi”

“Indikacionet për arritjen e marrëveshjes ndërmjet Kosovës e Serbisë kurrë nuk kanë qenë më serioze se tash”.

Në këtë mënyrë e ka vlerësuar njohësi i çështjeve politike, Belul Beqaj, vizitën e përfaqësuesit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Matthew Palmer dhe emisarit të Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.

“Besoj se jemi shumë afër zgjidhjes së njohjes implicite, e cila do të hap derën për mundësi të njohjes eksplicite, pas zgjedhjeve të ardhshme në Serbi”, tha ai për Insajderin.

Sipas tij, vizita e dyshes Palmer-Lajçak në Prishtinë tregon se politika amerikane është vazhdimësi e qasjes së SHBA-ve në raport me Ballkanin Perëndimor.

Mendon se “Administrata Trump” e kishte devijuar atë.

Nën udhëheqjen e Donald Trump-it në krye të Shtëpisë së Bardhë, Kosova dhe Serbia kishin nënshkruar dy dokumente të ndryshme – prej nga rezultoi një marrëveshje e sferës ekonomike.

Por, atëbotë diskurset mbi gjeopolitikat e SHBA-ve dhe Bashkimit Evropian, dallonin ndjeshëm – në këtë drejtim, Albin Kurti, gjatë vizitës së parë në Bruksel si kryeministër në prill – kishte kritikuar mënyrën sesi ishte arritur marrëveshje e Uashingtonit, 4 shtator.

Kurti, gjatë gjithë kohës kishte folur për përafrim divergjencash mes SHBA-ve e BE-së, duke shtuar se “asnjëra nuk bën ta përjashtojë tjetrën”.

Përfaqësuesi amerikan dhe ai evropian, të hënën takuan kreun e ekzekutivit kosovar.

Dialogu, sigurisht dialogu – ishte temë qendrore që u diskutua mes Kurtit, Palmerit e Lajçakut.

Ky i fundit, të martën gjatë një konference për media, tha se “vizita e tij në Prishtinë është përgatitje e takimit në mes Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq”.

Kompromiset janë përmendur shpesh nga diplomatë perëndimorë sa herë është diskutuar për tryezën e Brukselit, aty ku pritet të bisedojnë Kurti e Vuçiqi për fatin e dy popujve e vendeve.

Pos Bashkimit Evropian e SHBA-ve, kryeparlamentari serb, Ivica Daçiq, po kërkon që në bisedime të inkuadrohen edhe shtete si; Rusia e Kina.

Beqaj shtoi se “koordinimi i SHBA-ve dhe BE-së mund të nxjerr potenciale të kompromisit”.

Po, çfarë saktësisht kuptohet me kompromisin? Askush s’e thotë qartë – pos disa “non-papers”, autorët e të cilave nuk zbulohen kurrë, shkruhen nga dikush por demantohen nga të gjithë.

Në ato “non-papers” që i atribuohen shteteve si Gjermania, Franca e Sllovenia, përmendet një “asociacion me kompetenca ekzekutive”.

Të dytë, Lajçak e Palmer – thanë se “nuk bëjnë presion, dialogu i përket veç Prishtinës e Beogradit”, sipas tyre faktori ndërkombëtar nuk është diçka më shumë sesa ndërmjetësues.

Këtë pretendim, më 1 qershor e ka mbrojtur Albin Kurti, gjatë një vizite në Prizren, ku tha se “s’ka presion për nisjen e dialogut”.

“Presion nuk ka, ka diskutime të vazhdueshme, dialogu do të jetë parimor, do të jetë i drejtë, ku Kosova nuk është objekt në tryezë po është palë në bisedime dhe me dijen, programin tonë dhe me ndërgjegjen e përgjegjësinë që kemi treguar ngaherë do ta përfaqësojmë Republikën e Kosovës për interesat e Republikës së Kosovës”, ka thënë Kurti.

Qasja e Kurtit ndaj dialogut po kritikohet nga opozita, të cilët gjithashtu u takuan me Palmerin dhe Lajçakun.

Edhe te opozita ishte shfaqur brenga e njëjtë ndërkombëtare: Dialogu Kosovë-Serbi.

Bisedimet priten të fillojnë gjatë muajit qershor. Për herë të parë Kurti do të jetë në dhomën e vogël të Brukselit, aty vendosen çështje të mëdha e ku historia në të kaluarën është ndikuar nga qendrat evropiane. /Insajderi.com