Infermieri kosovar, Enlirat Duraku, në ditën e 14 të grevës së urisë dhe ditën e katërt të grevës së etjes, i ka dorëzuar kërkesat për rritje të pagës së ndërrimeve të natës për infermierë dhe të tjera, transmeton Insajderi.
Duraku kërkesën e parë e ka dorëzuar te kryeparlamentari Glauk Konjufca, për të vazhduar më vonë në Komisionin për Shëndetësi e më pas edhe në Qeveri.
Ai në një konferencë për media bëri të ditur se do të vazhdojë grevën e tij deri në përmbushje të kërkesave, edhe në qoftëse do t’i kushtojë me fatalitet.
“Kërkesat e infermierëve janë refuzuar nga të gjitha institucionet edhe pse i kemi dorëzuar me kohë. Sot unë edhe fizikisht kam dorëzuar kërkesën për rritjen e pagesës së ndërrimeve të natës, pagesën e rrezikshmërisë në punë, pagesën e punës gjatë fundjavës dhe atë të orëve shtesë. Unë nuk kërkoj nënshtrim nga shteti, por kërkoj që të vlerësohet puna dhe sakrifica e infermierëve. Grevën nuk do ta ndali deri në realizim të kërkesave edhe po të ketë pasoja fatale personalisht për mua fizikisht”, u shpreh ai. /Insajderi.com