Infermieri që po mban grevë urie e të etjes thotë se kolegët e tij po frikësohen e disa janë servilë

Infermieri që po mban grevë urie e të etjes thotë se kolegët e tij po frikësohen e disa janë servilë

Mijëra infermierë punojnë në institucionet publike shëndetësore, por interesat e të gjithëve i ka marrë përsipër t’i shtyjë përpara vetëm njëri. Pavarësisht se i vetëm, kjo nuk po e bënë Enlirat Durakun të lëkundet nga kërkesat e tij, njofton Insajderi..

Ai, ka zgjedhur grevën e urisë për të shtyrë përpara kërkesat e tij. Por, në formën e protestës ka shkuar edhe një hap tutje. Duraku tani është edhe në grevë urie.

Përmes kësaj, ai po kërkon që për infermierët të bëhet rritja e pagesës së ndërrimit të natës nga 18 euro në 36 euro, pagesën e rrezikshmërisë në punë, pagesa punës gjatë fundjavës dhe pagesa e orëve shtesë.

Këto kërkesa ai i kishte edhe ne muajin nëntor të viti të kaluar, ku mbajti grevë për 26 ditë, por që e ndërpreu për një arsye që nuk solli rezultat.

“Greva e parë, e muajit nëntor, është ndërprerë për shkak se Komisioni Parlamentar për shëndetësi i legjislaturës së kaluar ka bërë një amendament, ku janë paraparë 2.7 milionë euro që pagesa për ndërrimin e natës për infermierë të rritet nga 18 në 36 euro. Mirëpo, ku amendament nuk kaloi në kuvend. U ndjeva i mashtruara dhe e ndërpreva grevën. Pastaj, ra qeveria, institucione nuk kish dhe nuk kisha kujt me i protestu”, tha ai për lajmi.net.

Mirëpo, në mesin e arsyeve që prapë të kthehet në grevë, Duraku, që shërben QKUK, thotë se tash e ka një shumë më të fort.

“Kjo që më ka frustruar më së shumti dhe më ka bërë që të hyj në grevë është ndarja e buxhetit nga Kuvendi i Kosovës për pije dhe kafe si dhe votimi i 11 milionë eurove për pagesën e energjisë elektrike për veriun”, shtoi ai.

Mirëpo, kjo grevë po i shkakton edhe probleme në shëndet. Por pavarësisht kësaj, Duraku është i vendosur që mos të tërhiqet derisa të realizohen kërkesat e tij.

“Sinqerisht nuk shkon orë që nuk duhet me marrë një bari kundër dhimbjeve sepse dinë me qenë të papërballueshme. Kam probleme gastrike, me lukthin sidomos për shkak të mungesës së ushqimit, por edhe dehidrim sepse është dita e pestë e grevës së etjes – kësaj të fundit nuk kam mundësi t’i rezistoj sepse është tentim shumë i madh. Grevën nuk do ta ndali deri në realizim të këtyre kërkesave. Unë konsideroj se me rritjen e pagesës së ndërrimit të natës – nga 18 euro ne 36 euro, pagesa e punës gjatë fundjavave dhe orët shtesë, pagesa e rrezikshmërisë në punë, legjislatura e tashme e njohin punën, angazhimin dhe sakrificën e infermierëve, kur e dimë që në mesin e infermierëve ka prej atyre që kanë humbur jetën nga Covid-19 në dhënie të shërbimit dhe duke mos i harruar ata mbi 85% që janë infektuar në dhënie të shërbimit”, deklaroi Duraku.

Pavarësisht kësaj, Duraku thotë se askush nuk është interesuar për të.

E, derisa vetë po synon realizimin e këtyre kërkesave që prekin të gjithë infermierët, kolegët e tij nuk po i bashkohen në grevë. E, pas kësaj, sipas tij janë disa arsye.

“Në grevën e parë nuk kam kërkuar përkrahje, ndërsa në këtë grevë kam kërkuar të më bashkohen sepse i vetëm e pash që nuk po mundem të arrijë asgjë. Kësaj radhe kam kërkuar përkrahje, por disa nga organizatat e infermierëve në mënyrë indirekte e kanë aprovuar dhe miratuar grevën time, njëjtë edhe kolegët infermierë që i përkrahin kërkesat, por nuk dalin publikisht.  Nuk po bashkohen sepse dikush thotë që nuk është koha. Ne kaluam 20 vjet, vendi po zhvillohet e ne po ngecim, e thonë nuk është koha. Dikush tjetër është frikësuar, dikush është i shantazhuar e dikush është servil besa… ka prej tyre që kanë kërkuar me ndal grevën, mirëpo janë numër shumë i vogël.. Për shkak të shëndetit që mundet me u përkeqësua, për shkak të familjes dhe për shkak të asaj që me gjet një formë tjetër që me i arrit këto kërkesa”, tha ai.

Përveç që nuk arriti ta bind asnjë nga kolegët që t’i bashkohet, ai nuk po gjen mbështetje as nga Sindikata e Infermierëve, që dikur ishte sekretar i saj, por as nga organizatat tjera të infermierëve.

“ Kam kërkua prej tyre, mirëpo rruga që ata e kanë zgjedh me realizua këto kërkesa tesh e tri vjet, po del të jetë e dështuar. Ndërsa, mua po më konsiderojnë pak më radikal.. Ata e kanë zgjedh me dal në fotografi me bisedu. Ne me të gjithë kemi biseduar, te të gjithë kemi qenë dhe i kemi fotot, por ato nuk duhen se foto nuk po kryejnë më punë”, theksoi ai.

Enilart Duraku, së fundmi u ka dërguar letër kryeministrit Albin Kurti, ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia si dhe institucioneve tjera përgjegjëse./Insajderi.com