Informacionet e presidentit brenda trenit: Ka pasur njerëz të armatosur

Informacionet e presidentit brenda trenit: Ka pasur njerëz të armatosur

Hashim Thaçi ka vazhduar me akuzat ndaj Serbisë pas takimit që ka pasur në Bruksel me homologët e tij serb.

Duke folur për DW, Thaçi ka thënë se incidentet e kohëve të fundit janë të provokuara direkt nga Serbia.

Ka thënë se muri është çështje e Kosovës dhe këtë çështje nuk do ta diskutojnë fare me Beogradin.

E sa i përket trenit presidenti ka zbuluar edhe një skenar sekret.

“Ne kemi informacione se në tren ka pasur armatim dhe njerëz paramilitarë me qëllim që të futen në Kosovë dhe destabilizojnë Kosovën. Njëkohësisht e njohim edhe planin serb për ndarjen e Kosovës, por e dimë po ashtu se Serbia po i armatos serbët në veri”, ka thënë Thaçi.

Sipas tij, treni ishte me motive të qarta provokuese për Kosovën dhe i inspiruar me modelin rus, por vendosmëria e Kosovës bëri që ai tren të mos i afrohet kufirit te Republikës së Kosovës.

“Ndryshe, sikur të afrohej, nuk mund të them se nuk do të fillonte ndonjë konflikt i armatosur. Kosova ka qenë e gatshme t’i përgjigjet në mënyrë shtetërore këtij provokimi”, ka thënë presidenti./Insajderi.com