Inicohet peticion për shkarkimin e kryetarit të FFK-së

Inicohet peticion për shkarkimin e kryetarit të FFK-së

Ka filluar një peticion përmes së cilit kërkohet shkarkimi nga detyra i kryetarit të Federatës së Futbollit, Agim Ademit, nga disa aktivistë të shoqërisë civile. Kjo sipas tyre për shkak të politizimit të FFK-së dhe ekipit përfaqësues.

Sipas organizatorit, Taulant Hoxha, ky peticion po bëhet për të reaguar ndaj rasteve të fundit të keqpërdorimit të FFK-së dhe Përfaqësueses të Kosovës,  edhe më shumë për të parandaluar raste të tilla në të ardhmen, pavarësisht kush është në krye të FFK-së.

“Përfaqësuesja e Kosovës po na jep emocione të jashtëzakonshme. Përtej futbollit, po e dëshmon potencialin tonë dhe lartësitë që mund t’i arrijmë nëse bashkohemi, punojmë shumë e udhëhiqemi mirë. Përveç se në tribuna, përkrahja duhet të shtrihet edhe jashtë saj. Sidomos kur një ëndërr kaq e bukur rrezikohet dhe keqpërdoret për interesa individuale. Për këtë arsye po e fillojmë këtë peticion, si obligim për të reagu ndaj rasteve të fundit të keqpërdorimit të FFK-së dhe Përfaqësueses të Kosovës, e edhe më shumë për të parandalu raste të tilla në të ardhmen, pavarësisht kush është në krye të FFK-së e në politikën kosovare”, thotë Hoxha.

Hoxha në letrën e peticionit ka thënë se kryetarit i FFK-së, është përfshirë aktivisht dhe ka vënë në dispozicion ekipin përfaqësues të Kosovës në përkrahje të një kandidati për pozitë politike.

“Për dorëheqjen/shkarkimin e z. Agim Ademi për shkak të politizimit të FFK-së dhe ekipit përfaqësues. Së fundmi z. Agim Ademi, në cilësinë e Kryetarit të FFK-së, është përfshirë aktivisht dhe ka vënë në dispozicion ekipin përfaqësues të Kosovës në përkrahje të një kandidati për pozitë politike. Me këtë ka rrezikuar suksesin sportiv, ka prishur neutralitetin politik të FFK-së, ka cënuar autoritetin e FFK-së dhe ekipit përfaqësues të Kosovës. Për këto arsye, ne të poshtëshënuarit kërkojmë dorëheqjen ose shkarkimin e z. Agim Ademi nga pozita e Kryetarit të FFK-së dhe mospërsëritjen e rasteve të tilla në të ardhmen, nga askush”. thuhet në letrën e peticionit.

Së fundi, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, ka publikuar disa video ku shihet se bashku me lojtarët e kombëtarës së futbollit, madje në njëren prej tyre është edhe kryetari i FFK-së, Agim Ademi, i cili ua shpreh disa fjalë miradie lojtarëve për Veselin.