
Pas gjuhës ofenduese që ka përdorur deputeti i Partisë Demokratike të Kosovës, njëkohësisht dhe profesori universitar, Ardian Kastrati, ndaj presidentes së sapozgjedhur të Kosovës, Vjosa Osmani, ka ardhur edhe reagimi nga unioni i studentëve dhe nga shoqëria civile, njofton Insajderi.
Kastrati përmes një shkrimi në Facebook, ka përqeshur fizikun e Vjosa Osmanit, duke e cituar një frazë nga Faik Konica.
Edhe pse në statusin e Kastratit, askund nuk përmendet emri i Osmanit, pavarësisht kësaj, shoqëria civile dhe unioni studentor e kanë interpretuar këtë status si fyerje ndaj Osmanit dhe po kërkojnë llogari dhe përgjegjësi nga Kastrati.
E lidhur me këtë, unioni i studentëve, ka iniciuar një peticion ku po kërkohet shkarkimi nga universiteti i Kastratit.
Ndërsa nga ana tjetër, aktivisti i shoqërisë civile, Rron Gjinovci, për nesër në orën 11:00 ka paralajmëruar një protestë paqësore ku gjithashtu kërkohet shkarkimi i Kastratit nga pozita e profesorit universitar./Insajderi.com