Inspektohen patrullat e përbashkëta të policisë Shqipëri – Kosovë

Inspektohen patrullat e përbashkëta të policisë Shqipëri – Kosovë

Për vitin e dytë radhazi Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) në bashkëpunim me Shërbimin e Çështjeve të Brendshme dhe Ankesave (SHÇBA) kanë zhvilluar inspektime të përbashkëta në kuadër të vlerësimit të performacës së patrullimit të përbashkët të dy policive rrugore gjatë sezonit veror.

Inspektimi i përbashkët është vazhdimësi e aktiviteteve  në kuadër të Memorandumit të mirëkuptimit për bashkëpunim në fushën e kontrollit të brendshëm dhe mbikëqyrjes policore, të nënshkruar nga Ministrat e Brendshëm të Republikës së Kosovës dhe Republikës së Shqipërisë.

“Inspektimi është përqendruar në akset rrugore Rrëshen-Milot, Milot-Lezhë dhe Lezhë-Shëngjin, aty ku janë stacionuar edhe patrullat rrugore të përbashkëta”, thuhet në një njoftim të Inspektoratit.

Gjatë inspektimit, specialistët/inspektorët kanë zhvilluar edhe pyetësor me qytetarët dhe drejtuesit e mjeteve në lidhje me sjelljen e policisë së dy vendeve. “Vlerësimi i qytetarëve për sa i përket sjelljes së patrullave të përbashkëta të Policive Rrugore ka qenë pozitiv”, thuhet në njoftim.

Inspektorët kanë konstatuar se ka qytetarë të cilët nuk janë të informuar për sa i përket institucioneve ku ata mund të ankohen në rast të sjelljes jo korrekte nga ana e punonjësve të policisë.

“Ky inspektim në këtë fushë të menaxhimit policor luan rol të rëndësishëm në ngritjen e performancës policore sidomos në rritjen e besimit te qytetarëve tek policitë e dy shteteve, përmirësimin e shërbimeve të sigurisë në të ardhmen, parandalimin dhe luftimin e korrupsionit, rritjen e cilësisë së shërbimeve të sigurisë që ofrojnë policitë e dy vendeve etj”, thuhet në njoftim.

Në përfundim të patrullimit të përbashkët të dy policive rrugore, IPK dhe SHÇBA do të dalin me një raport të përbashkët ku do të paraqiten rekomandimet dhe vërejtjet për këtë proces.