Inspektorati i Ministrisë së Shëndetësisë së Kosovës ka bastisur sot shtëpinë e shëndetit në Shtërpcë, që funksionon ilegalisht, sipas sistemit shëndetësor të Serbisë, transmeton Insajderi.
Mediat serbe në Kosovë raportojnë se inspektorati i MSH-së ka bastisur shtëpinë e shëndetit në kërkim të vaksinave anti-COVID, që Serbia edhe më herët ka sjell ilegalisht në Kosovë për të vaksinuar serbët.
“Inspektorët kanë plotësuar raportin se nuk kanë gjetur asnjë vaksinë dhe ia kanë tërhequr vërejtjen drejtorit të shtëpisë së shëndetit se mbajtja e tyre është vepër penale”, ka shkruar portali Kossev të mërkurën.
Ndërkohë, për rastin sipas këtij portali është deklaruar edhe zyra për Kosovën në Qeverinë e Serbisë.
“Nuk ekziston arsye administrative e politike që mund të arsyetohet sjellja johumane e Prishtinës, sidomos nëse merret parasysh se kjo nuk është hera e parë që tenton të ndalojë mbrojtjen me kohë të serbëve në Kosovë”, thuhet në deklaratën e kësaj zyre.
Sipas kësaj zyre, institucionet e Kosovës nuk do të mund të ndalojnë vaksinimin e serbëve.
“Serbia po vaksinon masivisht qytetarët e saj kundër COVID-19 dhe të drejt në vaksinim kanë edhe serbët që jetojnë në Kosovë”, thuhet në deklaratë. /Insajderi.com