Inspektoriati Policor jep detaje për rastin e sulmit ndaj Mustafës

Inspektoriati Policor jep detaje për rastin e sulmit ndaj Mustafës

Inspektoriati Policor i Kosovës ka njoftuar për nisjen e hetimeve nga Prokuroria ndaj dy personave të dyshuar për sulmin fizik ndaj drejtorit të Postës dhe Telekomit të Kosovës, Agron Mustafa.

Përmes një njoftimi për media, Inspektoriati Policor ka bërë të ditur se hetuesit policor kanë siguruar video-inçizime të sulmit ndaj Mustafës.

 

“Të njëjtit (hetuesit e IPK-së) kanë dalë në vend ngjarje dhe është kontaktuar edhe prokurori kujdestar i cili edhe ka autorizuar ndërmarrjen e një sërë veprimesh hetimore drejt ndriçimit të këtij rasti duke përfshirë intervistimin e personave të dyshuar, disa dëshmitarëve, sigurimin e disa video-incizimeve që mund të kenë pamje të incidentit etj”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

Në njoftimin e IPK-së, thuhet se nga Prokurori kompetent rasti është cilësuar si vepër penale “Lëndim i lehtë trupor” dhe deri tani dy persona janë cilësuar si persona të dyshuar (njëri nga ta zyrtar policor A.B. dhe tjetri qytetar).

“Me vendim të prokurorit kompetent rasti vazhdon në procedurë të rregullt përderisa do të vazhdohet me ndërmarrjen edhe të veprimeve tjera hetimore në konsultim me prokurorin nga hetuesit e IPK-së deri në ndriçimin e plotë të rastit”, thuhet në njoftim.