Instituti Hidrometeorologjik: Nuk pritet të ketë vërshime

Instituti Hidrometeorologjik: Nuk pritet të ketë vërshime

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se nga 7 deri më 12 tetor në gjithë vendin pritet të ketë reshje shiu të cilat mund të paraqesin probleme dhe vështirësi lokale, por nuk pritet që të shkaktojnë vërshime, përcjell Insajderi.com.

Përmes një postimi në Facebook, IHK ka bërë të ditur se sasia më e lartë e reshjeve gjatë kësaj periudhe pritet që të jetë në pjesën Perëndimore dhe Veriperëndimore.

Foto ilustruese.

“Sasia më e lartë e reshjeve gjatë kësaj periudhe pritet të jetë në pjesën P dhe VP (Pejë, Istog, Junik, Deçan, Gjakovë), pastaj V dhe VL (mesatarisht 50 – 150 mm), ndërsa në pjesën L – J 30 – 75 mm, dhe në pjesën qendrore 20 – 50 mm”, thuhet ndër tjerash në njoftim.

Po ashtu, IHK ka njoftuar se në lumenjtë kryesorë nuk parashihet që të ketë ngritje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit.

“Në lumenjtë kryesorë, sipas rrjetit të stacioneve hidrmetrike në Kosovë, nuk parashihet që të ketë ngritje të theksuara të niveleve dhe prurjeve të ujit, sidomos kur e kemi parasysh situatën e deritanishme e cila ishte përcjellur me verën shumë të thatë dhe deficit të lagështisë në tokë, prandaj edhe nuk parashikohet që do të ketë rrezik nga përmbytjet lumore”, njofton tutje IHK.

Ndryshe, mbrëmjen e së enjtes një medium gjerman ka raportuar se Kosova dhe Shqipëria mund të përballen me përmbytje të mëdha gjatë kësaj jave dhe javës së ardhshme./Insajderi.com