Drejtori i Institutit Sizmik, Shemsi Mustafa, ka dhënë detaje lidhur me tërmetin që goditi gjatë mbrëmjes së djeshme Kosovën, njofton Insajderi.
Me anë të një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Mustafa bëri të ditur se ky tërmet ishte me magnitudë prej 3.4 shkallë të Rihterit, ndërsa epiqendra e tij ishte në komunën e Vitisë.
“Bazuar në Rrjetin Sizmik, Shërbimi Gjeologjik i Kosovës dhe Qendrës Sizmike Euro-Mediterane, si dhe në analizën numerike të Rrjetit Sizmologjik të Kosovës, më 01/08/2021 në ora 23:07 sipas kohës lokale, Kosova është goditur nga një tërmet me magnitude 3.4 sipas shkallës Rihter, përkatësisht me intensitet IV-V ballë të Merkalit”, ka shkruar ai.
“Thellësia hipoqendrore ishte 2 km. Epiqendra e tërmetit ishte 10 km në jug të Vitisë. Tërmeti në fjalë është ndier dukshëm në disa zona për rreth”, njoftoi më tej Mustafa.
Vitia është një nga zonat më të prekura nga tërmetet përgjatë viteve në Kosovë.
Në raportin “Mikrozonimi Sizmik i Gjilanit”, i cili është hartuar nga Ministria e Zhvillimit Ekonomik, tërmete më të fuqishme që e kanë goditur Kosovën, përmendet tërmeti i vitit 1921 me epiqendër mes Ferizajt e Vitisë, me një fuqi prej 6.1 shkallë Rihter.
Zonat më të rrezikuara nga tërmetet në Kosovë janë Istogu, Peja dhe Prizreni, megjithëse Vitia, Ferizaj dhe Gjilani janë zonat që edhe në të kaluarën janë prekur nga goditjet tektonike. /Insajderi.com