
Instituti Ndërkombëtar për Studime në Lindjen e Mesme dhe Ballkan IFIMES, me seli në Lubjanë, në analizen e publikuar së fundi, Presidentin Hashim Thaçi e ka konsideruar si “simbol i oktapodit politiko-kriminal”.
Periudhën e Hashim Thaçit si kryeministër thonë se e kanë karakterizuar punësimet familjare, frikësimi i kundërshtarëve politikë e qytetarëve, presioni ndaj mediave dhe krimi e korrupsioni i përhapur në çdo pjesë të shtetit e shoqërisë.
“Qeveria e udhëhequr nga Hashim Thaçi dhe klani i tij karakterizohet me nepotizëm, frikësim të kundërshtarëve politikë dhe qytetarëve, presion ndaj mediave, reagime, krim, mostransparencë dhe korrupsion në çdo sferë të shoqërisë Kosovare”, shkruan IFIMES.
Përveç kësaj ata thonë se në periudhën e qeverisjes së Hashim Thaçit me Kosovën është ngritur edhe trendi i ikjes së popullatës së moshës së re nga Kosova.
“Një tendencë posaçërisht shqetësuese është edhe emigrimi masiv i brezit të ri të popullatës me moshë pune. Qeveria e Kosovës nuk ka arritur të ndalojë këtë prirje negative. Krimi i organizuar dhe korrupsioni paraqesin një kërcënim serioz për shoqërinë e Kosovës”, potencon tutje shkrimi.
Sipas IFIMES, Hashim Thaçi si një “simbol i oktapodit politiko-kriminal” bëhet edhe më i fuqishëm duke bashkëpunuar me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën, për të cilin Instituti në fjalë thotë se, gjithashtu, ka vendosur një regjim kriminal në Shqipëri.
“Hashim Thaçi përfaqëson një simbol të oktapodit politiko-kriminal. Fuqia e Thaçit forcohet më tej përmes aleancës me kryeministrin shqiptar, Edi Rama (PS) dhe regjimin e tij, i cili ka vendosur një perandori kriminale në Shqipëri, me rrënjë të thella ndërkombëtare e që shpeshherë përdor Kosovën për të shtrirë tentakulat e saj edhe në rajon”.
Në këtë shkrim theksohet edhe një raport i Transparencës Ndërkombëtare e cila në indeksin e korrupsionit për vitin 2018 rendiste Kosovën te 93-tën nga 180 vende gjithsej. Të njëjtën pozitë sikurse Kosova kishin edhe Gambia, Guajana, Mongolia e Panamaja.