Intelektuali i njohur serb Filip David: Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

Shkrimtari dhe intelektuali i njohur serb Filip David ka deklaruar për televizionin N1 se për atë se shumë herë ka thënë publikisht se Serbia duhet ta njohë Kosovën dhe të arrijë marrëveshje me Prishtinën për qëndrimin e serbëve atje dhe ruajtjen e trashëgimisë kulturore serbe – është ekspozuar sulmeve verbale.

Intelektuali i njohur serb Filip David: Serbia duhet ta njohë pavarësinë e Kosovës

“Përse ti përzihesh”, “mërzitu ti për ngjarjet në Izrael me Palestinën”… Kjo është shumë e shëmtuar, unë megjithatë jam qytetar i Serbisë. Është aq e qartë se Serbia në çështjet kyçe po vonohet, edhe atë gjithmonë në dëm të vet”, ka thënë David, i cili është me prejardhje hebraike.

Ai ka vlerësuar se Brukseli me Aleksandar Vuçiqin po kapet për kashte, ashtu si ka bërë edhe me qeverinë e kaluar, e cila ndryshe ka folur në botën e jashtme e ndryshe në Serbi.

Presidenti Vuçiq, përkujton David, vazhdimisht flet për atë se konflikti i ngrirë është i keq, por asgjë konkretisht nuk propozon që problemi të zgjidhet. Përkundrazi, pushteti po i kontrollon tabloidet të cilët po kryejnë propagandë masive  se Kosova nuk guxon të dorëzohet sepse ky do të ishte shkatërrimi ynë, tregon David.

“Këtu shohim se sa është kjo politikë jo e sinqertë. E di këtë prej eksperiencës, mjaftojnë 15 ditë të thoni se njohja e Kosovës nuk ka alternativë, dhe do të pranohet ky qëndrim, dhe presidenti do të bëhet hero i cili ishte i gatshëm ta presë nyjën. Ju kujtohet Dejtoni – para tij flisnim se lufta nuk ka alternativë, e pas Dejtonit menjëherë doli propaganda se paqja nuk ka alternativë. Shumë shpejtë u pranua edhe kjo”, përkujton David.

Por, edhe pjesa  më e madhe e opozitës ndaj regjimit të Vuçiqit po angazhohet për “konflikt të ngrirë”, gjegjësisht për ruajtje të “status quos”. David thotë se pikërisht ky qëndrim, si dhe ftoftësia ndaj çështjes së integrimit në BE, ishte arsyeja e distancimit të tij nga një pjesë e opozitës të tubuar në Lëvizjen për Serbi.

David ka deklaruar se “me gjithë zemër është për opozitën dhe kundër këtij regjimi”, por për shkak të qëndrimeve të tij ndaj Kosovës dhe integrimit në BE është distancuar nga një pjesë e opozitës. Nuk pajtohet as me vendimin e LpS për bojkot të zgjedhjeve të ardhshme në Serbi./Insajderi.com.