INTERPOLI nuk po kërkon 157 ish-pjestarë të UÇK-së, por vetëm 20

Organizata Ndërkombëtare Policore, INTERPOL, nuk është në kërkim të 157 ish-pjesëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, por në listën e saj ka urdhër-arreste për vetëm 20 ish-pjesëtarë, ka thënë sot Zëvendësministri i Punëve të Brendshëm, Nehat Mustafa.

INTERPOLI nuk po kërkon 157 ish-pjestarë të UÇK-së, por vetëm 20

Zëvendësministri i Punëve të Brendshme, Nehat Mustafa ka demantuar raportimet e medieve se “157 ish-pjesëtarë të UÇK-së po kërkohen nga INTERPOL-i”.

Mustafa ka thënë se INTERPOL, në bazë të urdhër-arresteve ndërkombëtare të lëshuara nga Serbia për ish-pjesëtarët e UÇK-së, është duke kërkuar vetëm 20 persona.

“Ne e dimë se Policia e Kosovës i ka kërkuar me 16 dhjetor të vitit të kaluar INTERPOL-it, që t’i largojë ish-pjestarët e UÇK-së nga kjo listë. Realisht ka rezultuar që prej atyre 157 që po flitet, vetëm 20 kanë mbetur në këtë listë”, ka thënë Mustafa për Insajderin.

Sipas Zëvendësministrit Mustafa, lista prej 157 ish-pjesëtarëve të UÇK-së ekziston vetëm në Serbi dhe urdhër-arresti aplikohet vetëm brenda territorit të këtij shteti.

“Në vitin 2003, Serbia e ka botuar Librin e Bardhë, në këtë libër ka paraqitur 157 ish-ushtarë të UÇK-së që kinse kanë kryer krime ndaj serbëve”, ka thënë Mustafa, raporton Insajderi.

Në listën prej 20 ish-pjesëtarëve të UÇK-së që INTERPOL është duke kërkuar, ndodhet edhe ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili u arrestua të mërkurën në Basel të Francës.

Haradinaj momentalisht ndodhet në mbajtje në Francë. /Insajderi.com