Deputeti shqiptar në Kuvendin e Serbisë, Shaip Kamberi, është shndërruar në opozitën e vetme në Serbi. Me fjalimin e tij në seancën e parë të legjislaturës së re atje, ai ka entuziazmuar shqiptarët dhe irrituar pushtetin serb. Kamberi, në këtë intervistë për Gazetën Online Insajderi, fjalimin e tij nuk e konsideron të guximshëm, thjesht; të vërtetë. Ai thotë se Serbia është shndërruar në një sistem cezarist dhe “Republikë e një personi”.
“Kam thënë një të vërtetë që e di gjithë Serbia”.
Thotë deputeti shqiptar, Shaip Kamberi, kur pyetet nga Gazeta Online Insajderi për fjalimin e tij të mbajtur në Kuvendin e Serbisë.
Aty Kamberi akuzoi pushtetin e Aleksandër Vuçiqit për instalimin e autokracisë dhe gjithashtu rikujtoi historinë e gjenocidit që Serbia ushtroi mbi popullin shqiptar të Kosovës – dhe jo vetëm.
Fjalimi i ish-kryetarit të Bujanocit u komentua shumë. Vetë Kmaberi u vlerësua si për atë çfarë kishte shkruar, njëjtë edhe për guximin për ta thënë publikisht.
“Kur e thua të vërtetën nuk ke nevojë të frikësohesh”, pohon Kamberi kur komenton fjalimin e tij që po konsiderohet historik.
Por, pse ky fjalim në këtë kohë? Shaip Kamberi tregoi gjatë intervistës për Insajderi-n se në Serbi ka pakënaqësi qytetare për shkak të “autokracisë së instaluar”.
“Serbia po bëhet një Republikë e një personi. Ky person afatizoi mandatin e qeverisë deri më 22 prill 2022 akoma pa u zgjedhur ajo. Mjafton kjo të shihet se autokracia tashmë është vendosur”, theksoi Kamberi.
Ai ka folur edhe për dialogun e Kosovës me Serbinë. Ka përmendur mospërfshirjen e Luginës së Preshevës në dialog në kurrfarë dimensioni – as si palë, as si temë.
Por, sipas deputetit shqiptar, nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor nëse ajo pjesë nuk përfshihet në këtë dialog.
Nga involvimi potencial i Luginës së Preshevës në bisedimet e Brukselit dhe Uashingtonit, Kamberi beson se Serbia do të detyrohet që të investojë diçka për shqiptarët që jetojnë atje.
E në rast se ndodhë e kundërta, atëherë deputeti alarmon se “do të jemi dëshmitarë për spastrim në heshtje të Luginës së Preshevës”.
Domosdoshmërinë e inkuadrimit të Kosovës Lindore në dialog, Kamberi thotë se e ka diskutuar edhe gjatë vizitave të tij në Uashington e Berlin.
Sipas tij, problemi i Luginës është shumëdimensional, prandaj edhe ai në Kuvendin e Serbisë do të ngritë çështje përkitazi me dimensionalitetin e problemeve.
Në këtë funksion e sheh edhe fjalimin e tij të fundit. Ato çfarë tha në Kuvendin serb shpreson të nxisin ndërgjegjësimin e miliona shqiptarëve.
Intervista e plotë e Shaip Kamberit për Insajeri-n.
Insajderi: A ndjeheni të rrezikuar pas fjalimit në Kuvendin e Serbisë?
Kamberi: Pavarësisht reagimeve brenda seancës së parlamentit që nxiti reagimi im, disa shkrimeve të tabloideve serbe që më cilësuan si nacionalist, dhe shumë tjerave që pritet të dalin, nuk mund të them se kam pasur ndonjë kërcënim të drejtpërdrejtë e as që kam nevojë të ndjehem i kërcënuar. Kam thënë një të vërtetë që e di gjithë Serbia, bile më së miri ajo që e kundërshton, prandaj gjithë retorika fyese do të mundohet të diskreditojë fjalimin tim, por jo se do të guxojë dikush që të ndërmarrë diçka në aspekt të kërcënimit të sigurisë time. Fundja, kur e thua të vërtetën nuk ke nevojë të frikësohesh.
Insajderi: Përse vendoset ta mbani pikërisht atë lloj fjalimi?
Kamberi: Sepse ishte momenti. Momenti kur në një shtet, tre muaj pas zgjedhjeve po krijohej Qeveria e Re. Pikërisht këto janë momentet kur duhet thënë shtruar problematikat ekzistuese. Gjendja aktuale në Serbi, ka krijuar një pakënaqësi qytetarie, dhe siç u pa edhe atje, në qarqet liberale, fjalimi im ishte përshëndetur. Veç tjerash, e futur në një proces dialogimi me Kosovën, pritej që Serbia, përfundimisht të ndryshojë qasjen ndaj shqiptarëve të Luginës së Preshevës. Por, as kjo as vërejtjet që iu dhanë me Raportin e Progresit të BE-së, nuk po ndryshojnë një mentalitet diskriminues dhe albanofob. Prandaj, edhe kam vlerësuar se duhet thënë gjithë ato që mundojnë shqiptarët.
Insajderi: Përveç se fjalim i guximshëm është konsideruar edhe një fjalim i shkruar shumë bukur, me referenca historike e filozofike – sa keni punuar në shkrimin e tij?
Kamberi: Po të paraqitesh me një fjalim për të kritikuar dukuritë negative të mbarë një shoqërie. Në një mjedis të përbërë nga 244 deputet dhe 23 ministra me ndjenja albanofobe, me paragjykime historike për shqiptarët, kërkon punë dhe kohë për t’u përgatitur.
Insajderi: Fjalimi juaj ka ngjallur emocione të mëdha tek shqiptaret kudo – ai është shpërndarë e rishperndarë me qindra mijëra herë – a e prisnit një reagim të tillë dhe si e komentoni tash qe ka ndodhur?
Kamberi: Kam pritur reagime te shqiptarët, por të jem i sinqertë jo në këto përmasa. Unë kam thënë vetëm atë që çdo shqiptarë e ka të fjetur në ndërgjegje, prandaj ndoshta edhe kjo është ajo nxitje të shumë e shumë njerëz që e kanë mirëpritur fjalimin tim.
Insajderi: A besoni se një fjalim i tillë të ketë ndikim te Prishtina e Tirana që të kenë më shumë politika në mbështetje të shqiptarëve në Luginën e Preshevës?
Kamberi; Ndryshimet përmbajtjesore te politikat në Tiranë e Prishtinë po vërehen edhe para fjalimit tim. Po përmendi vetëm disa shembuj. Angazhimi i drejtpërdrejtë i ministrit Gent Cakaj për ta bërë listën e përbashkët parlamentare të partive shqiptare për zgjedhjet në Serbi, ishte i një rëndësie të veçantë. Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës për hapjen e zyrës për Luginën e Preshevës dhe vendimi i dy qeverive, në Prishtinë e Tiranë, për të bërë Fondin e përbashkët për Luginën janë vendime të rëndësishme për ne. Unë i kam cilësuar si një erë e re shpresëdhënëse, që po sjell marrjen e përgjegjësive për Luginën e Preshevës nga Prishtina e Tirana.
Insajderi: Si mendoni, në çfarë forme çështja e Luginës duhet të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi?
Kamberi: Kjo duhet të ndodhë pashmangshëm. Nuk mund të ketë fqinjësi të mirë, raporte të mira mes Kosovës dhe Serbisë, stabilitet afatgjatë në Ballkanin Perëndimor, pa zgjidhjen e çështjes së shqiptarëve në Luginën e Preshevës.
Insajderi: Si e shihni zgjidhjen e problemit Kosovë-Serbi?
Kamberi: Kosova e pranuar në OKB, me njohje të dyanshme, duhet të jetë fundi i këtij dialogu, natyrisht me çështjen e zgjidhur të Luginës së Preshevës si produkt i të njëjtit dialog.
Insajderi: Sa janë gjasat se nga ky pushtet në Serbi të ketë investime në Luginë?
Kamberi; Po u pa qartë në bazë të reagime të gjithë kreut shtetërorë ndaj fjalimit tim. Asnjëri prej tyre nuk u ndal së paku të bëjë një vlerësim real të kërkesave tona. Gjithë ishin në nxitim të shfajësimit dhe diskreditimit të asaj që e thashë, Serbia duhet detyruar të bëjë diçka për shqiptarët. Me vullnet të vetin, kurrë nuk ka bërë diçka. Kësaj radhe ky “detyrim” dihet të jetë dialogu që po e bën me Kosovën.
Insajderi: A do të kërkoni nga BE e SHBA që të jenë më kërkuese ndaj Beogradit për të drejtat e komunitetit shqiptar në Serbi?
Kamberi: Unë, me disa kolegë këtu, vitin e kaluar kemi vizituar Uashingtonin dhe Berlinin. Në takimet në Departamenti Shtetit, Kongresin dhe senatin amerikan dhe në Ministrinë e jashtme të Gjermanisë kemi shtruar këto tema. Koha është që edhe ata të ndihmojnë që çështja e Luginës të përfshihet në dialogun Kosovë-Serbi. Në të kundërtën, do të bëhen jo vetëm dëshmitarë, por edhe fajtorë për pastrimin në heshtje të Luginë së Preshevës nga shqiptarët.
Insajderi: Barra opozitës në Kuvendin e Serbisë ju mbetet juve. Cilat janë çështje që do të problematizoni në Kuvend?
Kamberi: ka shumë e shumë tema që tash e tutje individualisht t’i nisim. Diskriminimi që Serbia i bën shqiptarëve është shumë dimensional, prandaj edhe temat do të jenë shumëdimensionale.
Insajderi: Apo rrezikohet Serbia nga instalimi i një sistemi të plotë autokratik?
Kamberi: Ai vetëm se është i instaluar, ashtu siç e thashë edhe në Parlament, Serbia po bëhet një Republikë e një personi. Ky person afatizoi mandatin e qeverisë deri më 22 prill 2022 akoma pa u zgjedhur ajo. Mjafton kjo të shihet se autokracia tashmë është vendosur./Insajderi.com