Investimi 80 milionë euro i kryeministrit në Dukagjin

Investimi 80 milionë euro i kryeministrit në Dukagjin

Edhe në këtë mandat, Ministria e Infrastrukturës paralajmëron se do t’i japë rëndësi të madhe ndërtimit të rrugëve. Shefi i ekzekutivit Ramush Haradinaj ka kërkuar të ndahen 80 milionë euro për vazhdimin e punës në magjistralen Prishtinë – Pejë, pasi është eliminuar bllokada në Kievë, ndërsa për Dukagjinin ka paralajmëruar një autostradë të re, e cila, sipas ministrit Pal Lekajt, mund të kushtojë rreth 200 milionë euro.

Në çdo mandat qeveritar, Ministria e Infrastrukturës përfolët për ndërtimin e rrugëve. Komentohet cilësia e tyre e dobët, kontraktimi i dyshimtë i kompanive që merren me ndërtimin, kostot dhe zvarritja e punimeve.

Qeveria e re në krye me Ramush Haradinajn, në deklarimet e deritashme ka përmendur se ndërtimi i rrugëve do të jetë prioritet, madje duke premtuar edhe autostradë për Dukagjinin.

Në magjistralen Prishtinë – Pejë tashmë janë eliminuar pengesat e shpronësimit, ndërkohë që Haradinaj për përfundimin e saj është zotuar se qeveria do t’ia japë 80 milionë euro. Kësaj magjistraleje, deri në përfundim, i kanë mbetur edhe 32 kilometra, për të cilat kryeministrit thotë se duhet të kryhen deri vitin e ardhshëm.

Në Ministrinë e Infrastrukturës thonë për Gazetën Express se kanë bindur familjen që pengonte ndërtimin dhe se puna do të rifillojë këto ditë.

“Në Kievë janë ndalë punimet për 16 muaj, vetëm për një pronë. Ne kemi dalë në inspektim dhe Qeveria shumë shpejtë ka gjetur mirëkuptim e është kryer shpronësimi”, ka thënë ministri Lekaj për Expressin.

Haradinaj, në një tubim të mbajtur mbrëmë në Deçan është shfaqur i vendosur për përfundimin e saj.

“Për autostradën e Dukagjinit sot kam kërkuar të ndahen 80 milionë euro. Pra që në autostradën Prishtinë -në Pejë, mos të shkohet me nga pesë km në vit, por të kryhet vitin që vjen. Sepse, me nga dhjetë milionë euro dhe 7-8 km ajo nuk kryhet deri më 2030-ën. Ka ndërruar koha tash, autostrada ka për të përfunduar në vitin që vjen, ashtu që kur të bjerë bora e vitit tjetër, ajo do të bjerë mbi asfalt, mbi auto rrugën e Dukagjinit. Dy ministrat e qeverisë së Kosovës e dinë këtë, Bedri Hamza e ka dëgjuar prej meje, e di Pal Lekaj, edhe unë e di”, ka thënë Haradinaj.

Ai ka premtuar po ashtu se auto rruga Klinë -Gjakovë do të fillojë vitin që vjen. Kryeministri ka përmendur edhe një autostradë tjetër, fizibiliteti i të cilës do të nisë vitin që vjen. Fjala është për projektin e autostradës e Dukagjinit, Istog-Pejë-Deçan-Gjakovë-Prizren.

Për këtë të fundit, Ministri Lekaj ka thënë se është shumë e nevojshme dhe se do të prekë disa fusha të rëndësishme në lehtësimin e qarkullimit dhe transportit.

“Autostrada Istog – Prizren është e domosdoshme sepse ka ndikim në tri fusha: në shpejtësinë e Lëvizjes, e dyta ka impakt të zhvillimit ekonomik, dhe e treta, ndikon në mbylljen e harkoreve në rrjetin e autostradave, me gjitha korridoret dhe lidhë të gjitha qytetet e Kosovës”, ka treguar Lekaj për Expressin.

Lekaj thotë se nuk është vendosur se kah do të kalojë saktësisht kjo autostradë, por, megjithatë do të zgjedhin rrugën më pak të kushtueshme dhe ku kanë qasje të gjithë qytetarët.

“Shumë shpejt do të kryhet fizibiliteti i saktë i kësaj autostrade, dhe pastaj, të merren masa tjera. Unë shpresoj se do të fillojë në vitin 2018”, ka shtuar ministri i Infrastrukturës.