Inspektorati i Policor i Kosovës ka arrestuar një zyrtar policor gjatë ditës së djeshme, meqë i njëjti dyshohet se ka shkaktuar dhunë në familje, transmeton Insajderi.
Sipas IPK-së, i dyshuari ka sulmuar bashkëshorten e tij.
“Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve të IPK-së kanë arrestuar një zyrtar policor me dyshimin se i njëjtit ka kryer veprën penale “dhunë në familje”. IPK ka pranuar mbrëmë informacione nga Policia e Kosovës lidhur me dyshimin së një zyrtar policor në Prishtinë ka kryer veprën penale dhunë në familje. Menjëherë pas pranimit të informacionit hetuesit e IPK-së i janë përgjigjur thirrjes duke intervistuar viktimën e këtij rasti – bashkëshorten e tij”, thuhet një njoftimin e IPK-së, raporton “Express”.
Ndaj tij është caktuar masa e ndalimit për 48 orë, teksa i njëjti edhe është suspenduar nga detyra zyrtare.
“Pas disa veprimeve fillestare hetimore është konsultuar edhe prokurori kompetent dhe zyrtarit policor me vendim të prokurorit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë. Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar. Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet ndër të tjera në njoftim. /Insajderi.com