
Inspektorati Policor i Kosovës ka arrestuar dhe suspenduar një zyrtar policor për veprën penale “keqtrajtim gjatë ushtrimit të detyrës zyrtare”, njofton Insajderi.
Më vendim të prokurorit, të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë.
IPK-ja bën të ditur se hetimi kishte filluar kur përmes rrugëve operative hetuesit kanë siguruar një informacion (video-incizim) në bazë të të cilit dyshohej për tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës nga një zyrtar policor në Prishtinë.
Për rastin e njëjtë, IPK-ja ka arrestuar më 28 janar edhe një zyrtar tjetër policor. Bëhet fjalë për Haris Kelmendin, i cili dyshohet se tri vitë më parë kishte maltretuar një 18 vjeçar në stacionin policor në Prishtinë.
“Veprimet e mëtutjeshme hetimore lidhur me këtë rast për të sqaruar rrethanat e këtij incidenti do të vazhdojnë nga hetuesit e IPK-së në konsultim të vazhdueshëm me prokurorin përgjegjës”, thuhet në komunikatë./Insajderi.com