IPK konfirmon: Arrestohen dy zyrtarë policorë në veri të Mitrovicës

IPK konfirmon: Arrestohen dy zyrtarë policorë në veri të Mitrovicës

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se sot ka vazhduar aksioni i filluar dy ditë më parë me arrestimin e zyrtarëve policorë. IPK përmes një komunikate ka konfirmuar raportimin e Insajderit se dy zyrtarë policorë janë arrestuar në Jarinje nën dyshimin për kontrabandë me mallra.

Dy zyrtarët e arrestuar pasditen e sotme sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës dyshohen edhe për “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, “Kontrabandë me mallra”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e ndaluar” dhe vepra të tjera.

Sipas njoftimit të IPK-së të arrestuarve u është caktuar masa e paraburgimit prej 48 orëve.

Njoftimi i plotë:

Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) respektivisht hetuesit e Departamentit të Hetimeve sot në orët e pasdites kanë arrestuar edhe dy zyrtarë policorë, njërin në Jarinje (pikë kalimin kufitar) dhe tjetrin në Mitrovicën jugore .

Edhe arrestimet e sotshme (zyrtarëve policorë të policisë kufitare me inicialet D.P dhe V.T) janë vazhdimësi e operacionit të emërtuar “Kontrabanda” që u zhvillua më 28 maj 2019 në bashkëpunim me Policinë e Kosovës në disa lokacione në veri të vendit dhe më gjerë.

Operacionit “Kontrabanda”  i ka paraprirë një hetim disa mujor i Inspektoratit Policor të Kosovës dhe PK-së i udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, i cili ka rezultuar me dyshimin e bazuar të përfshirjes së disa zyrtarëve policorë dhe të disa qytetarëve në: “Pjesëmarrje ose organizim i grupit kriminal”, në lidhje me veprat tjera penale “Kontrabandë me mallra”, “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “dhënie e ryshfetit”, “tregti e ndaluar” etj.

Të arrestuarve me vendim të prokurorit të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë deri në vazhdimin e procedurave të tjera gjyqësore.