Inspektoriati Policor i Kosovës ka nisur hetimet ndaj zyrtarit policor që gjatë mbrëmjes së djeshme derisa ishte duke e arrestuar ish-kryetarin e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, Faik Fazliu, e ka rrëzuar përtokë atë, njofton Insajderi.
Këtë e ka konfirmuar për Gazetën Online Insajderi, zëdhënësi i IPK-së, Arbër Beka.
“Duke ju referuar kërkesës suaj ju njoftojmë se IPK pas publikimit të pamjeve ka filluar një hetim preliminar bazuar në autorizimet ligjore të saj”, ka thënë ai.
Në pamjet e publikuara nga ushtruesi i detyrës së kryetarit të OVL-UÇK’së, Faton Klinaku, shihet se si një zyrtar policor pas një fjalosje me Fazliun, e shtynë atë duke e rrëzuar përtokë dhe pastaj ia vendos prangat.
Faik Fazliu është arrestuar pasi dyshohet se ka kanosur një zyrtar policor, në një kafeteri mbrëmë në Prizren. /Insajderi.com