Inspektorati Policor i Kosovës ka rekomanduar suspendimin e pesë zyrtarëve policorë (një rreshteri dhe katër zyrtarëve policorë – që të gjithë punonjës në Njësinë Speciale Operative) me dyshimin se të njëjtit kanë tejkaluar autorizimet policore gjatë një intervenimi në një lokal në Prizren, njofton Insajderi.
IPK përmes një komunikate bën të ditur se lidhur me këtë rast, hetuesit kanë pranuar ankesë në të cilën pretendohet se ka pasur tejkalim të autorizimeve policore gjatë përdorimit të forcës kurse për rastin e njëjtë të premten në media është publikuar një audio- incizim.
“Hetuesit e IPK-së në koordinim të plotë me Prokurorinë e Shtetit, do të vazhdojnë të ndërmarrin edhe veprime të tjera hetimore drejt ndriçimit të plotë të të gjitha rrethanave që ndërlidhen me këtë rast”, thuhet në kumtesë./Insajderi.com