Bardhyl Haxhimustafa, udhëheqësi i Divizionit për hetimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit në Inspektoratin e Policisë së Kosovës, deklaroi se zyrtari policor në Gjilan që dyshohet për sulm seksual ndaj një të miture, nuk ka deklaruar motivin se çka e ka shtyrë ta bëjë këtë vepër, transmeton Insajderi.
Ai tha se për të njëjtin, IPK-ja për tre muaj rresht ka zhvilluar hetime.
“Në këtë rast janë zhvilluar hetime të fshehura me aplikimin e masave te fshehta te hetimit, ku kemi ardhur në prova konkrete në implikimin në këtë rast. Nga ana e IPK-së rreth tre muaj kemi pasë hetime, fillimisht informacione e marra janë verifikuar, më pas kur kemi ardhur tek një dyshim i arsyeshëm se kemi të bëjmë me një vepër penale e cila është sulm seksual, atëherë kemi aplikuar masa të fshehta”, ka thënë Haxhimustafa.
Ai në Edicionin Special ka theksuar se zyrtari policor deri tani është në mbajtje dhe se deri në hetimet e tanishme që kanë zhvilluar ekziston dyshimi që ndaj të miturës dy herë është kryer kjo vepër penale.
“Deri në hetimet e tanishme dyshohet se dy herë ka pasë sulm seksual ndaj të miturës. Tani pritet të ekzaminohet gjendja fizike dhe psikike e të miturës dhe atëherë vijmë në përfundim edhe rezultatet mjeko-ligjore e përcaktojnë një gjë të tillë”.
Në bazë të Kodit Penal të Kosovës dënimi më i lartë në një vepër penale si kjo është 15 vjet./Insajderi.com