Pasi shkarkoi dhe emëroi bordet e reja të disa ndërmarrjeve publike, javën e shkuar, Albin Kurti vizitoi pa paralajmërim Transmetuesin Publik të Kosovës. RTK-ja, siç kishte thënë vet Kurti, është institucion të cilin ai e ka "për zemër". Megjithatë, shkarkimet në këtë institucion publik nuk i ka ai në dorë.

Sado që ka qenë kritik i menaxhmentit të Radio Televizionit të Kosovës si opozitar, Albin Kurti shkoi në Transmetuesin Publik të Kosovës një ditë pasi u zgjodh Kryeministër i Kosovës.
Si pushtetar, Kurti zgjodhi që intervistën e parë të tij si shef i ekzekutivit ta jepte për RTK-në.
Kreu i Vetëvendosjes, i cili u bë politikani parë me orientim – të deklaruar haptazi – të majtë politik që ngjiti shkallët e Kryeministrisë, tha se ka një afeksion të veçantë për publiken.
“Ju faleminderit edhe juve; ju e dini që publiken unë e kam për zemër”, deklaroi Kurti në përmbyllje të intervistës. “Kështu që, ishte nderë edhe për mua të marrë pjesë në emisionin tuaj”.
Prej kësaj interviste të 4 shkurtit, kryeministri Kurti nuk i dha më vëmendje Radio Televizionit të Kosovës.
Së paku, jo deri javën e shkuar, kur Kurti në shoqërinë e tre ministrave në detyrë realizoi një vizitë të papritur në RTK. U bë kryeministri i parë i Kosovës që viziton Transmetuesin Publik, të cilin nuk e ka në menaxhim.
I shoqëruar nga ministrat në detyrë: Besnik Bislimi, Arben Vitia dhe Hykemte Bajrami, Kurti u prit në vizitë nga drejtori i Përgjithshëm, Ngadhnjim Kastrati.
Në komunikatën për media të lëshuar nga Zyra e Kryeministrit, u bë e ditur se Kurti i kërkoi menaxhmentit të RTK-së që të bashkëpunojë me institucionet qeveritare lidhur me luftimin e koronavirusit.
“Publikja është vlerë për këtë Qeveri. Në kohë të pandemive asaj i shtohet me vëmendjen edhe përgjegjësia. Prandaj, bashkëpunimi mes institucioneve qeveritare dhe transmetuesit publik duhet të bëhet për ta luftuar të vetmin armik të përbashkët që e kemi, i cili është i padukshëm, virusin Corona”, thuhej në komunikatë.
Vizita e Kurtit në televizionin publik u realizua një ditë pasi që në këtë televizion, në edicionin e lajmeve të së premtes, u transmetua një storie nga Veriu i Mitrovicës për të cilën mediumi mori kritika të ashpra nga militantët e Lëvizjes Vetëvendosje.
Intervistimi i asamblistit shqiptar të Komunës së Zveçanit, Lavdim Pecit, i cili në kuadër të kësaj storje kritikoi ashpër qeverinë, nxiti thirrjet e përkrahësve të kryeministrit Kurti për të ndërhyrë në Transmetuesin Publik.
Aktivistë dhe përkrahës të Kurtit bënë thirrje publike për shkarkimin e menaxhmentit dhe bordit aktual të RTK-së, ashtu si kryeministri në detyrë veproi me disa Ndërmarrje Publike gjatë javës së shkuar.
Por, pavarësisht prej afeksionit të Kurtit për Televizionin Publik dhe dëshirës së tij për t’u sjell si “shef” i këtij institucioni publik, lideri i Lëvizjes Vetëvendosje nuk mund të vendos për fatin e RTK-së pa pasur mbështetjen e shumicës së Kuvendit të Kosovës.
Sipas Ligjit për Radio Televizionit të Kosovës, është në përgjegjësi të Kuvendit që të bëjë zgjedhjen e bordit të ri të tij.
Këtë fakt e nënvizoi sot edhe deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje dhe Nënkryetari i Komisionit Parlamentar për Media, Valon Ramadani.
Ramadani thotë se çështja e RTK-së duhet të adresohet në Kuvendin e Kosovës.
“Shumë qytetarë me të drejtë po presin e më kanë pyetur edhe mua se kur do të adresohet çështja e RTK-së. Shumë prej tyre i kanë bërë thirrje dhe Qeverisë, POR: Dua të sqaroj publikun se RTK si medium publik mbikëqyret nga Kuvendi e bordi zgjidhet nga po ky institucion”, ka thënë Ramadani. “Kjo është përgjegjësi e Kuvendit të Kosovës.”
Deputeti i VV-së thotë se në RTK duhet të bëhen reforma të thella e se hapi i parë drejt reformës duhet të jetë bordi i ri, auditim i ri e hetime në këtë institucion publik. /Insajderi.com