Lidhja Demokratike e Kosovës ka dorëzuar në Kuvend mocionin e mosbesimit për Qeverinë Kurti, me 46 nënshkrime të deputetëve.
Mocioni është dorëzuar pak para orës 16:00, ashtu edhe siç kishin thënë nga partia e Isa Mustafës, se do të presin reflektim nga kryeministrit Albin Kurti deri në fund të orarit zyrtar.
Kushtetuta dhe Rregullorja e Punës së Kuvendit e parashohin që: Mocioni i mosbesimit vihet në rendin e ditës të Kuvendit, jo më vonë se pesë (5) ditë e as më herët se dy (2) ditë nga data e parashtrimit të tij.
Bazuar në këto dokumente seanca për votimin e rrëzimit të Qeverisë Kurti mund të mbahet të hënën, ose më së largu të mërkurën e javës së ardhshme.
LDK-ja për mocionin ka marrë mbështetje deri më tani nga tri parti opozitare, AAK, Nisma dhe AKR.
PDK-ja ende nuk është deklaruar zyrtarisht nëse do ta mbështesë ose jo mocionin e LDK-së.
Për të kaluar mocioni për rrëzimin e qeverisë Kurti, Lidhjes Demokratike iu duhen 61 vota./Insajderi.com