Isa Mustafa flet për ndarjen e ministrive me Vetëvendosjen

Isa Mustafa flet për ndarjen e ministrive me Vetëvendosjen

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se pas zgjedhjeve të parakohshme të 6 tetorit, ende nuk është biseduar me Lëvizjen Vetëvendosje për ndarje të ministrive.

“Po shoh që në opinion ka një ngatërrim të vlerësimit të zgjedhjeve dhe rezultateve. Ne jemi në një situatë ku akoma nuk është definuar plotësisht fituesi i zgjedhjeve sepse akoma po numërohen votat”, ka thënë Mustafa në Klan Kosova, shkruan Insajderi.

“Nëse lexohet mirë sistemi zgjedhor tek ne, qytetari zgjedh vetëm për subjektin e parë dhe jo me kënd të bëhet koalicion. Prandaj këtë duhet ta qartësojmë, nëse LDK del e para, qytetari nuk e obligon VV-në të bëjë koalicion me LDK-në ose anasjelltas”.

“E vlerësojmë votën e qytetarëve dhe nevojën që Kosova duhet të bëjë ndryshime dhe të qeveriset shumë më mirë. Mirëpo njëherë ne duhet të punojmë në pikat programore që na dallojnë mjaft shumë. Ne s’mund të qeverisim me dy programe qeverisëse, por me vetëm një”.

“Në Qeveri janë disa pozita të cilat kanë peshë të veçantë. Peshë të veçantë ka kryeministri i vendit dhe kjo s’mund të krahasohet me ministri sepse kryeministri është kryeministër. Përveç që ai e drejton Qeverinë, ai ka edhe disa kompetenca të tjera dhe këtë duhet ta kemi parasysh”.

“Sa i përket ndarjes së ministrive, ne nuk kemi biseduar me VV-në. Parimisht kemi thënë se ne do të pajtohemi sa i përket postit të kryeministrit që t’i takojë partisë së parë. Ne nuk do të bëjmë kërkesa që ta diskutojmë këtë. Ndërsa për ministritë do të ulemi dhe do të bisedojmë sepse ne nuk shohim ndonjë arsye që të futemi në Qeveri vetëm sa për të qenë aty”./GazetaInsajderi/