Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se Hashim Thaçi është tërhequr nga deklaratat për kompromise të dhimbshme. Dialogu nuk lidhet vetëm me emrin e Thaçit dhe Hotit. Ky proces është edhe çështje e deputetëve.
Në emisionin Desku në KTV, kreu i LDK-së është shprehur se “presidenti Hashim Thaçi kohëve të fundit është tërhequr nga deklarime për kompromise të dhimbshme. Ai e ka kuptuar që shkëmbim territorial nuk mund të ketë”, njofton Insajderi.
I pyetur nga moderatori i emisionit se “a është tërhequr realisht Hashim Thaçi nga ideja e shkëmbimeve territoriale”? – Mustafa është përgjigjur: “deklarativisht jo, por ne fakt ai ka hequr dorë dhe e di dhe vetë se Serbia nuk pranon kompromise të tilla”.
Mustafa ka folur dhe për idenë e hedhur më parë të një minishengeni ballkanik, ku ka thënë “se kjo është e papranueshme meqë një gjë e tillë i konvenon vetëm Serbisë dhe është një përpjekje e ringjalljes së një mini – Jugosllavie”./Insajderi.com