Isa Mustafa i shkruan letër Ramush Haradinajt për qeverinë e re

Isa Mustafa i shkruan letër Ramush Haradinajt për qeverinë e re

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka thënë kreut të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinajt, se LDK-ja është e gatshme ta pranojë mandatin për formimin e qeverisë së re.

Në këtë letër, të cilën e ka siguruar Ekonomia Online, Mustafa i ka shkruar Haradinajt se betejë kryesore e qeverisë së re, të formuar ndërmjet LDK-së, AAK-së, Nismës Socialdemokrate, AKR-së dhe komuniteteve, do të jetë luftimi i COVID-19.

“Vlerësoj se objektivi themelor i kësaj qeverie do të ishte beteja për ta mposhtur pandeminë e COVID-19, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohjen reciproke, rimëkëmbja e ekonomisë pas pandemisë, forcimi i shtetit ligjor përmes luftës kundër krimit dhe korrupsionit dhe krahas këtyre detyrave duhet të forcojmë partneritetin me Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”, shkruan mes tjerash në letrën e Mustafës drejtuar kryetarit të Aleancës.

Mustafa, në letrën e tij drejtuar Haradinajt, shkruan se çështje të tjera me prioritet për qeverinë, do të jenë: përmbyllja e dialogut me Serbinë dhe forcimi i partneritetit me ShBA-të.

“Jemi të bindur se Kosovës i nevojitet themelimi i një qeverie të re duke ndjekur të gjitha rrugët kushtetuese. Mbi këto kritere si parti e dytë e dalë nga zgjedhjet nacionale të 6 tetorit 2019 do të pranojmë mandatin në qoftë se ofrohet për themelimin e Qeverisë me një koalicion me ju AAK-në, Nismën, AKR-në dhe subjektet që përfaqësojnë komunitetet jo shumicë”, ka thënë ai.

“Betejë kryesore kësaj qeverie do të ishte lufta kundër coronavirsuit, përmbyllja e dialogut me Serbinë me njohjen reciproke, rimëkëmbja e ekonomisë  pas pandemisë  dhe forcimi i partneritetit me ShBA-në dhe BE-në”,  i ka shkruar Mustafa, Haradinajt.