Isa Mustafa për Insajderin: “Lista Serbe e Vetëvendosja s’mund të na bllokojnë”

Isa Mustafa: “Lidhur me Presidentin, do ta organizojmë një tryezë të subjekteve politike parlamentare , atyre që kanë vullnet, e të bisedojmë për mundësinë e zgjedhjes së Presidentit. Do të provojmë qysh në javën e ardhshme, nëse ka disponim”.

Isa Mustafa për Insajderin: “Lista Serbe e Vetëvendosja s’mund të na bllokojnë”

Lëvizja Vetëvendosje dhe Lista Serbe “nuk janë në gjendje të bllokojnë procese të rëndësishme” si projektligji për Rimëkëmbje Ekonomike i votuar të premten në Kuvendin e Kosovës, ka thënë kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa.

Ai në një deklaratë për Gazetën Online Insajderi përshëndeti miratimin në lexim të dytë të Rimëkëmbjes Ekonomike, poqë e quajti “vetëdije të vonuar”.

“Votimi i Ligjit për Rimëkëmbjes Ekonomike flet për një vetëdije paksa të vonuar të pozitës, përpos Listës Serbe, dhe të një pjese të opozitës. Kjo argumenton faktin se nuk është një parti apo dy, në këtë rast LVV dhe Lista Serbe, që mund ta bllokojnë një proces me interes të plotë të vendit. Sot është votuar për interesa të ekonomisë dhe të qytetarëve”.

Për vonimin e votimit të Rimëkëmbjes Ekonomike Qeveria e Kosovës është akuzuar vazhdimisht nga eksponentët opozitarë se nuk është stabile për sa i përket numrave në Kuvend.

Kritikët e kanë bazuar këtë pretendim tek përpjekjet e dështuara që mekanizimi shtetëror, që është Rimëkëmbja Ekonomike, të kalohet si e votuar në Kuvend.

Numrat e kufizuar në Kuvend të mazhorancës rrezikojnë edhe vonesa të tjera, siç është çështja e postit të presidentit sipas afatit kushtetues.

Për këtë në javën e ardhshme është paraparë të organizohet një tryezë ndër-partiake.

“Lidhur me Presidentin, do ta organizojmë një tryezë të subjekteve politike parlamentare , atyre që kanë vullnet, e të bisedojmë për mundësinë e zgjedhjes së Presidentit. Do të provojmë qysh në javën e ardhshme, nëse ka disponim”, paralajmëroi Mustafa.

Shefi LDK-së beson se një tryezë e tillë mund të jetë efektive. Por në rast se nga tavolina nuk ka rezultat, atëherë vendi shkon në zgjedhje, madje pa u bërë vonë.

“Unë shoh mundësi të marrëveshjes, me kusht që interesi i vendit të vihet në plan të parë. Në qoftë se nuk arrijmë marrëveshje, LDK është e gatshme të shkojmë në zgjedhje pa vonesë. Vendin nuk duhet te mbetet pa institucione”.

Por, humbja e bastionit 20 vjeçar e Lidhjes Demokratike të Kosovës në Podujevë nga Lëvizja Vetëvendosje është marrë si mostër për zgjedhjet nacionale nga subjekti politik që drejtohet prej Albin Kurtit. Nga këndvështrimi i partisë kryesore opozitare, LDK del “të jetë e dobët në nivel nacional”.

Pos Vetëvendosjes edhe zyrtarë të LDK-së si Melihate Tërmkolli kanë pranuar se partia e themeluar nga ish-presidenti ndjerë, Ibrahim Rugova, nuk qëndron mirë elektoralisht.

Referencë është marrë humbja në Podujevë e 29 nëntorit.

Që LDK të reflektojë para zgjedhjeve nacionale ekziston nevoja që të gjenden shkaktarët e humbjes në Besianë, kështu mendon kryetari Mustafa në përgjigjen dhënë për Insajderi-n.

Prandaj do bëhet edhe një debat i gjerë rreth nominimit të kandidatëve për kryetarë të komunave, për zgjedhjet lokale që zhvillohen në fund të vitit tjetër.

“Për kandidatët komunave do ta hapim debatin e brendshëm në LDK në pjesën e parë të vitit të ardhshëm. Në Kosovë po ballafaqohemi me një situatë shumë delikate”, tha Mustafa.

Por, debatet e paralajmëruara brenda LDK-së do ta gjejnë partinë të përçarë. Një nga deputetet e këtij subjekti politik të cilën Mustafa thotë se ai dhe LDK e bën përfaqësues të popullit, Haxhi Avdyli, kishte atakuar rëndë Mustafën ditë më parë.

“Komunisti i fundit nga ish-Jugosllavia deri ish-BRSS”, e kishte quajtur ai.

Mustafa nuk dëshiron të merret me Avdylin, madje diskursin e tij e ndërlidh me retorikën e ish-zëvendëskryeministrit nga Vetëvendosje, Haki Abazit.

“Nuk shoh arsye të humbim kohë me Haxhi Avdylin. Ai tani s’paraqet asgjë për LDK-në. Veç se e shfrytëzon të qenurit i zgjedhur si deputet i LDK-së për ta përbaltur LDK-në dhe kryetarin e saj, që e kanë bërë deputet. Me u marrë me te është njëjtë si të merresh me Haki Abazin e Vetëvendosjes. Diskursi politik i LDK-së nuk përputhet me sojin e tyre”, përfundoi Mustafa. /Insajderi.com