Kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, ka përkujtuar veprimtarin e LDK-së, ish-kryetarin e Komunës së Suharekës, Ukë Bytyçin, në 18 vjetorin e vrasjes së tij, njofton Insajderi.
Në njoftimin e zyrës për informim të këtij subjekti politik, ku thuhet se vrasja e Bytyçit ishte një goditje e rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj.
“Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vrasja e pabesë e tij, mbetet dhimbja e madhe jo vetëm për familjen Bytyçi, por edhe për LDK-në dhe gjithë Kosovën, që humbi burrin e madh të Suharekës, liderin e përmasave kombëtare, Ukë Bytyçin”, ka thënë Mustafa.
Njoftimi i plotë:
“Sot bëhen 18 vite nga vrasja e kryetarit të Komunës së Suharekës, veprimtarit dhe patriotit të pashoq, Ukë Bytyçi.
Uka ishte një personalitet i veçantë, i urtë e modest, punëtor dhe shumë i afërt me të gjithë qytetarët, kjo u dëshmua edhe në fitoret e tij plebishitare. Ai ishte një prej themeluesve të LDK-së, kryetar shumëvjeçar i LDK-së në Suharekë, mik i afërt i Presidentit Rugova dhe pjesë e plejadës së burrave të mëdhenj që dhanë kontribut në lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Menjëherë pasi ai shënoi fitore në Suharekë, u qëllua pabesisht nga shkrepjet e disa keqdashësve që nuk ia donin të mirën as LDK-së, Suharekës dhe as Kosovës dhe vrasja e tij ishte mënyra e vetme për ta mposhtur atë në fitoret e vazhdueshme të tij. Vrasja e tij ishte një goditje e rëndë për Kosovën dhe institucionet e saj.
Ukë Bytyçin do ta kujtojmë përherë si pishtar i demokracisë dhe shtetndërtimit të Kosovës.
Edhe pse kanë kaluar 18 vite nga vrasja e pabesë e tij, mbetet dhimbja e madhe jo vetëm për familjen Bytyçi, por edhe për LDK-në dhe gjithë Kosovën, që humbi burrin e madh të Suharekës, liderin e përmasave kombëtare, Ukë Bytyçin.
Lavdi jetës dhe veprës së Ukë Bytyçit!”. /Insajderi.com