Isa Mustafa: Specialen e votoi Kuvendi jonë, jo Basha e Berisha

Isa Mustafa: Specialen e votoi Kuvendi jonë, jo Basha e Berisha

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa, i ka dalë në mbrojte kreut opozitar shqiptar, Lulzim Basha dhe ish-kryeministrit të Shqipërisë, Sali Berishës.

Basha e Berisha po akuzohen për aktivitet kundër Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, njofton Insajderi.

Por, ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, tha të martën se “Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës”.

I pari LDK-së shtoi se këto akuza në këto kohë nuk i bëjnë nder UÇK-së e as pjesëtarëve të saj të cilët po akuzohen nga dhomat e Specializuara. /Insajderi.com

Postimi plotë:

Të nderuar qytetarë,

Shqipëria i doli në krah Kosovës në në kohët më të vështira rrugën e saj të çlirimit dhe shtetndërtimit, si gjatë qeverisjes së demokratëve ashtu edhe të socialistëve. Nëntë vite kam qenë në ekzil, nga viti 1990 deri më 1999, dhe e kam përjetuar Shqipërinë si shtëpinë time, shtetin tim.

E ndjej shumë rëndë që në vitin 2020 të “zbulojmë” se dikush nga Shqipëria pas çlirimit paska qenë kundër UÇK-së. Konstruktime të tilla të pavërteta, nuk iu ndihmojnë pjestarëve të UÇK-së që tani janë në Hagë. Nuk i bëjnë mirë të së vërtetës. I bëjnë keq harmonisë dhe solidaritetit shqiptar në Shqipëri dhe në Kosovë, që na nevojitet më shumë se çdoherë më parë.

Gjykatën Speciale, nuk na e bëri Lulëzim Basha , Sali Berisha, ….por për te vendosi Kuvendi i Kosovës. Nëse s’do ta bënte Kosova do të vendoste Këshilli i Sigurimit i KB. Shqipëria nuk ka dorë dhe as hile në këtë vendim dhe as në proceset gjyqësore që u zhvilluan pas lufte.

Për ne duhet të ketë qenë nder prezenca e shqiptarëve nga Shqipëria në misionin e UNMIK-ut, sikurse edhe e kosovarëve. Ka qenë ndihmë specifike.

Baltosja e njerëzve pa asnjë arsye të shëndoshë dhe pa argumente nuk është rrugë dhe mënyrë e mbrojtjes së vlerave të UÇK-së, të vlerave të shtetit tonë dhe të shtetit shqiptar. Duhet të pushojnë sulmet e tilla, sepse po na dëmtojnë. IM