Ish-ambasadori Dedaj: Prindon Sadriu është diplomat i rangut të ulët dhe i tillë do mbetet

Ish-ambasadori Dedaj: Prindon Sadriu është diplomat i rangut të ulët dhe i tillë do mbetet

Ish-ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Gjergj Dedaj, ka thënë se bashkëshorti i presidentes Vjosa Osmani, ka qenë “diplomat i rangut të ulët dhe i tillë edhe do të mbetet”.

Dedaj ushtroi postin e ambasadorit të Kosovës në Maqedoninë e Veriut deri në muajin maj të këtij viti, kur edhe u shkarkua me dekret të presidentes Osmani.

Përkohësisht, pozitën e tij është duke e plotësuar Prindon Sadriu, bashkëshorti i presidentes, i cili shërbente si zëvendësshef i misionit në Shkup.

E sipas Dedajt, shkarkimi i tij është bërë për shkak të Sadriut.

Vjosa Osmani dhe Prindon Sadriu.

“Bashkëshorti i presidentes Osmani ka qenë atje diplomat i një rangu të ulët edhe i tillë është edhe tash dhe i tillë ka me qenë gjithmonë sepse nuk i ka para dispozicionet për të qenë lider dhe një diplomat çfarë i duhet shtetit të Kosovës”.

“Me shkarkimin tim pas një jave menjëherë ai është ngarkuar me punë si udhëheqës i Ambasadës në Shkup. Nuk asgjë kundër në parim, por mënyra e shkarkimit tim dhe këta disa kanë ardhur në pushtet me 14 shkurt gjoja duke e luftuar nepotizmin, familjarizimin a në fakt po e bëjnë të kundërtën”, ka thënë ai në emisionin “Frontal” në T7.

Dedaj pati një porosi edhe për presidenten Vjosa Osmani.

Sipas tij, askush nuk ka të drejtë që “ta keqpërdor pozitën për t’i poshtëruar dhe denigruar rivalët politikë që nuk mendojnë njësoj si ajo”./SHQIP.com