Ish-ambasadori i Holandës reagon ashpër ndaj Daçiqit, mbron shqiptarët

Ish-ambasadori i Holandës reagon ashpër ndaj Daçiqit, mbron shqiptarët

Ish-ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch ka reaguar ndaj kryediplomatit serb, Ivica Daçiq, duke i përmendur të drejtat që komuniteti serb i gëzon në Kosovë, në krahasim me komunitetin shqiptar në Maqedoni.

Reagimi i ish-ambasadorit holandez në Kosovë erdhi pas një deklarate të Daçiq një ditë më parë, kur tha se “problemi i shqiptarëve në Maqedoni mund të përhapet në të gjithë Ballkanin.“

“Në përgjigje ndaj postimit të djeshëm: Daçiq, ish-zëdhënës i Millosheviqit, ka dhënë deklarata të jashtëzakonshme, shikoni tutje. Atij nuk duket që i intereson që gati 30 për qind e popullsisë, shqiptarët, në Maqedoni nuk mund të marrin plotësisht në jetën politike dhe gjuha e tyre nuk është as zyrtare”, ka shkruar Bosch në Facebook.

Bosch, i cili ka qenë edhe shef i misionit të OSBE-së në Shqipëri, ka thënë se serbët në Kosovë gëzojnë shumë të drejta në krahasim me shqiptarët në Maqedoni.

“Krahasoni këtë me situatën e serbëve në Kosovë, për të cilën ai gjithmonë ankohet. Me rreth 5 për qind të popullsisë gjuha e tyre është gjuha e dytë zyrtare, edhe pse përdorimi i saj mund të përmirësohet më tej. Ata kanë të drejtë vetoje për çështje të rëndësishme, shikoni formimin e ushtrisë, të cilën ata, me urdhër të Beogradit e parandalojnë.Së fundi, edhe disa ministra dhe parlamentarë serbë në Kosovë thonë haptazi që kryeministri i tyre është Vuçiq dhe Beogradi kryeqyteti i tyre”, ka deklaruar ish-ambasadori holandez në Kosovë. /Insajderi.com