Ish-anëtarët e PDK-së i bashkohen Vetëvendosjes

Ish-anëtarët e PDK-së i bashkohen Vetëvendosjes

Degës së Lëvizjes Vetëvendosje në Klinë sot iu bashkuan tre anëtarë të rinj, dy nga ta ish-zyrtarë të Partisë Demokratike të Kosovës

Në një njoftim për media, kjo parti bëri të ditur se tanimë pjesë e saj do të jenë ish-anëtari i Kryesisë së Degës së PDK-së në Klinë, Xhevxhet Berisha dhe drejtori i Shkollës së Mesme Profesionale “Fehmi Agani”, Hysni Raci. Përveç tyre, pjesë e VV-së tash e tutje do të jetë edhe kardiologu, Blerim Berisha, i cili aktualisht punon si internist kardiolog në Gjermani.

“Anëtarëve të rinj, mirëseardhje iu uroi Kryetari i Lëvizjes, Visar Ymeri dhe kryetarja e Qendrës së Vetëvendosjes në Klinë, deputetja Shqipe Pantina bashkë me anëtarë të tjetër të kryesisë”, thuhet në një njoftim për media.

Në njoftim ndër të tjerash thuhet se Ymeri u foli anëtarëve të rinj për synimet e VV-së dhe përgatitjet që thuhet se po bëhen “për të shënuar fitore edhe më të madhe në zgjedhje lokale”.

“Ndërkaq, të aderuarit thanë se janë bashkuar në Lëvizje duke parë se është e vetmja alternativë e cila garanton ndryshimet e domosdoshme në vend, jo vetëm në arsim e shëndetësi, por edhe sferat e tjera të jetës duke ndikuar përmes shtyllave programore të Alternativës Qeverisëse”, vazhdon tutje njoftimi.

“Ata u zotuan që të japin kontributin e tyre në rritjen dhe forcimin e Lëvizjes në Klinë për ta nxjerrë subjekt fitues edhe në zgjedhjet lokale”, përfundon njoftimi.