Ish-asistentja ekzekutive e ministrit të Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Shyqyri Bytyqi, po hetohet nga Prokuroria e Shtetit për një vepër penale.
Fortesa Shasivari, është larguar nga puna gjatë verës për shkak siç thotë MASHT, të papërgjegjësisë në punë.
Por, hakmarrja e saj ndaj ish shefit, dyshohet se vazhdoi deri në ditën kur atë e mori policia në pyetje.
Shasivari, pasi kishte dalë nga puna në MASHT, dyshohet se ka hapur llogari në rrjetet sociale për të bërë propagandë të sponsorizuar dhe ka bashkëpunuar me gazetar dhe pronar kolegjesh private për ta sulmuar ministrin në forma të ndryshme.
Ky i fundit duke u ndodhur në presion prej saj, është detyruar të lajmëroi rastin te organet e rendit, të cilat menjëherë morën masat e paraprake.
“Personi në fjalë është larguar për papërgjegjësi në punë, ndërsa në lidhje me pretendimet tjera janë duke u marrë organet e hetuesisë”, thuhet në përgjigjen e MASHT-it për Indeksonline.
Por, Shasivari e cila tani e punësuar në Ministrinë e Diasporës dhe Investimeve Strategjike, mohon të jetë intervistuar nga policia në lidhje me këto akuza.
Ajo ka thënë se nuk është marrë asnjëherë në pyetje nga policia dhe se nuk ka kryer kurrfarë vepre penale.
Dyshohej se Shasivari kishte hapur një llogari në rrjetin social Facebook “Arsimi në Kosovë”, nga ku kishte përhapur propagandë, madje duke i sponsorizuar edhe shkrimet kundër ministrit me kartelë private të tij, që Shasivari dyshohet se e mori sa ishte pjesë e kabinetit të ministrit. Se llogaria e ministrit po zbrazej dalëngadalë, e kishte kuptuar edhe vet protagonisti i kartelës, Shyqyri Bytyqi.
“Ky rast është lajmëruar në organet kompetente, që më vonë nga këto organe janë identifikuar personat që qëndrojnë prapa kësaj faqe dhe që kanë rezultuar se kanë interferuar edhe në kartelën time private të bankës. Tutje mbetet që organet e drejtësisë të vendosin”, ka thënë ministri i MASHT-it, Shyqyri Bytyqi.
Faqja e hapur në Facebook, “Arsimi në Kosovë”, tashmë është zhdukur nga rrjeti dhe se për të njëjtën ditë më parë kishte edhe një reagim nga MASHT.
E përmbajtjen e kësaj faqe, ministri Bytyqi e ka komentuar si plasuese e informatave të pavërteta dhe tendencioze.
“Faqja “Arsimi në Kosovë” ka qenë një faqe që ka plasuar informata të pavërteta dhe tendencioze me qëllim të krijimit të një imazhi negativ për ministrin dhe ministrinë. Si duket kjo ka ardhur si pasojë e vendosmërisë sonë për reforma si brenda ministrisë por edhe në reformat tjera drejt një arsimi cilësor dhe të pa politizuar”, ka deklaruar kreu i MASHT-it.
Ndërkohë ditë më parë ky institucion lëshoi edhe një komunikatë për media përkitazi me këtë faqe ku tha se tashmë ajo është mbyllur, kurse pronarët e saj janë duke u marrë me organet e drejtësisë.
Por, është Shasivari ajo e cila thotë se nuk ka të bëjë asgjë me këtë faqe.
“Jo, unë kam në menaxhim vetëm faqen familjare në Facebook, asnjë faqe tjetër”, ka thënë shkurt Shasivari .
Zyra për Informim në Policinë e Kosovës, kanë thënë se rasti ka kaluar te organet e drejtësisë dhe se nuk u takon atyre të flasin më për këtë rast.
“Ju lutemi që për të gjitha rastet që kalojnë nga Policia e Kosovës në kompetencë të organeve të drejtësisë, t’iu adresoheni këtyre të fundit”, thuhet në përgjigjen e PK-së.
Se hetimet ndaj ish-asistentes së ministrit Bytyqi po zhvillohen, e ka konfirmuar për Indeksonline, Prokuroria Themelore në Prishtinë.
“Ne e kemi lëndën që është ngritur kallëzim penal. Ajo tek ne ka mbërritur me datë 13.09.2018 nga Policia e Kosovës. Shasivari po hetohet për veprën ‘ngacmim’ dhe se e njëjta është intervistuar. Lënda është tek ne, jemi në fazën e zhvillimit dhe akoma nuk është kryer. E kemi intervistën e saj por ajo mbetet private deri të kryhet procesi”, kanë thënë zyrtarët e Prokurorisë.
Ndryshe, nëse vërtetohet se Shasivari ka kryer veprën penale “Ngacmimi” që parashihet në Nenin 186, të Kodit Penal të Kosovës, ajo rrezikon të dënohet me burg.