Ish deputeti i AAK-së thumbon Kurtin: Mandatari që mrizon nën hijen e Kushtetutës

Ish deputeti i AAK-së thumbon Kurtin: Mandatari që mrizon nën hijen e Kushtetutës

Refuzimi i Lëvizjes Vetëvendosje për ta propozuar emrin e kandidatit për kryeministër, ka bërë që kjo parti dhe kryetari i saj, Albin Kurti, të vihen para kritikave të shumta.

Madje, oponentët e tyre politik përveq kritikave, kanë filluar edhe të thumbojnë Albin Kurtin, shkruan Gazeta Insajderi.

Ish deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Muharrem Nitaj, ka thumbuar Kurtin, duke thënë se po mrizon nën hijën e Kushtetutës, e cila ka shumë mangësi.

Sipas tij, kreu i Vetëvendosjes po e shfrytëzon një procedurë të cilën nuk e ka paraparë Kushtetuta e Kosovës.

“Kushtetuta e Kosovës nuk ka paraparë situata se një ditë një njeri mund edhe të mos shkojë ta marrë mandatin për krijimin e Qeverisë! Ata që e kanë hartuar (ekspertët e huaj) nuk e kanë llogaritur se politikanët e këtij vendi janë marifetxhi dhe nuk e kuptojnë se disa gjëra, edhe pse të pashkruara, janë të përcaktuara sipas procedurave elektorale demokratike dhe prandaj janë të nënkuptueshme! Kjo i bjen sikur të mos e njohësh ditën-ditë e natën-natë, sepse kjo nuk qenka e specifikuar në Kushtetutë!”, ka thënë Nitaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook.

Nitaj ka kritikuar edhe presidentin e Kosovës Hashim Thaçi, duke thënë se po frikësohet nga ‘Kushtetuta Gogol’ e cila është shndërruar në instrument për rrëzimine njerëzve nga pushteti.

“Ekspertët e brendshëm, shumica të përlloçur politikisht, tash na shesin mend dhe asnjëri prej tyre nuk thotë se marrja e mandatit menjëherë e pa vonesa është e nënkuptueshme dhe s’ka pse të sanksionohet me Kushtetutë sepse është një çështje puro procedurale, por nxjerrin vickla për hesape politike! Marrja e mandatit ēshtë procedurë dhe Presidenti mund të tregohet tolerant për 3-4 ditë e jo në pakufi, por me gjaë edhe ai po tutet nga “Kushtetuta Gogol” e cila edhe me kontributin e tij, është shndërruar në instrument për rrëzimin e njerëzve nga pushteti!”, është shprehur Nitaj.

Për ish deputetin Nitaj, Kushtetutat në asnjë vend nuk shkruhen për “kabullxhi”, por për njerëz të përgjegjshëm që nuk mrizojnë nën hijen e Kushtetutës!.  /Insajderi