Ish-deputeti i PDK-së e konfirmon se do t’i bashkohet partisë së Bekim Jasharit

Ish-deputeti i PDK-së e konfirmon se do t’i bashkohet partisë së Bekim Jasharit

Kryetari i Skënderajt, Bekim Jashari ka lënë të hapur mundësinë që ta krijojë një parti të re.

Ai ka bërë të ditur se gjatë ditëve në vijim do ta marrin një vendim përfundimtar.

“Në qoftë se vjen një kërkesë e qytetarëve për formimin e një partie, atëherë ne do ta shqyrtojmë këtë mundësi gjatë ditëve të ardhshme. Askujt nuk po i intereson çka po bahet me qytetin e Skenderajt, e as me Kosovën”, ka thënë Jashari në T7.

Krijimi i partisë së re nga djali i Hamzë Jasharit, duket se ka gjetur përkrahje menjëherë.

Ish-deputeti i PDK-së, Nuredin Lushtaku ka konfirmuar se në momentin që Bekim Jashari e krijon partinë e re, ai do të bëhet pjesë e saj.

I vendosur thotë se do ta lë Partinë Demokratike të Kosovës, pjesë e së cilës ka qenë tash e sa vite.

“Në atë sekond që e konfirmon Bekim Jashari partinë e re ose iniciativën unë do të jem aty. Normal që do ta la PDK-në”, ka thënë Lushtaku për Gazetën Insajderi.

I pyetur për arsyet e këtij vendimi, ai ka thënë se ende ka kohë për këtë temë.

Por thekson që për Bekim Jasharin, do “ta lë çdo gjë”.

“Për arsyet tani ka kohë me folë, por çdo gjë do ta lë për Bekim Jasharin”, deklaroi Nuredin Lushtaku.

Ende nuk dihet nëse do të jetë parti apo iniciativë, por tashmë në rrjete sociale është publikuar edhe një moto e këtij subjekti.

“Aty ku po lind liria, po lind edhe shpresa”, pritet të jetë motoja e kësaj partie që po shpërndahet nëpër rrjete sociale. /Insajderi.com