Ish-diplomati serb: Duhet përfshirja e Rusisë në dialog që të zgjidhet çështja e Kosovës

Ish-diplomati serb: Duhet përfshirja e Rusisë në dialog që të zgjidhet çështja e Kosovës

“Përfshirja e Rusisë në bisedimet në mes Kosovës dhe Serbisë do ta ndryshonte formatin e dialogut si të tillë dhe do të ofronte zgjidhje më të shpejt”.

Një version të tillë e beson ish-diplomati serb, Zoran Milivojevic, gjatë një bisede me median ruse Sputnik.

Diskursin e tij për ta trajtuar Kosovën si çështje globale e në të cilën përfshihen fuqitë botërore e ndërlidhi me raportimet se në shtator do të ndodhë një takim ndërmjet Prishtinës e Beogradit nën administrimin e presidentit francez, Emmanul Macron.

Diplomati në pension këtë e konsideron si një përpjekje të Francës për të marrë rol global, tash kur Britania e Madhe është larguar nga Bashkimi Evropian.

Ai e cilëson si diçka interesante aktivizimin e Francës në çështjen e dialogut e mungesën e Gjermanisë.

“Franca nuk dëshiron të jetë në hijen e Gjermanisë dhe nuk përjashtohet që Parisi të shfaqet si një faktor në ndërmjetësim, por mbi ato baza që janë realiste, e cila do të çonte në një zgjidhje me pjesëmarrjen e lojtarëve globalë të udhëhequr nga Rusia, tha Milivojevic.

Duke i konsideruar përpjekjet e Bashkimit Evropian si joefektive në raport me bisedimet Kosovë-Serbi, Milivojevic, pohoi se pa Rusinë s’mund të ketë zgjidhje të shpejt të kësaj çështje.

Ka një dekadë që Kosova e Serbia diksutojnë në tryezën e Bashkimit Evropian.

Pos marrëveshjeve teknike, nuk ka pasur pajtime konkrete në mes dy vendeve.

Një marrëveshje ekonomike është arritur më 4 shtator në Uashington. Por, marrëveshja politike ende s’ka. /Insajderi.com