Ish-drejtori i Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj ka aderuar në Partinë Demokratike të Kosovës, njofton Insajderi.
Kjo u zyrtarizua nga kryetari i PDK-së dhe kandidati për kryeministër nga kjo parti, Enver Hoxhaj, përmes një konference për medie.
Hoxhaj tha se Qalaj do të bëhet pjesë e programit dhe vizionit të rimëkëmbjes politike dhe se sektori i sigurisë dhe zhvillimi i tij do të jetë prioritet i Qeverisë Hoxhaj.
“Ardhja e tij është një hapje e madhe dhe e mirëfilltë e PDK-së. Qalaj do jetë pjesë e programit për rimëkëmbje politike dhe për sigurinë. Z. Qalaj është një njeri që për 20 vite ka shërbyer në Policinë e Kosovës dhe ka udhëhequr institucionin më kredibil që ka Kosova. Do ta ketë rolin kyç që ne ta vazhdojmë reformën në PDK. Ai ka qenë ushtarë i UÇK-së dhe ka luftuar me pushkë në dorë”, ka thënë Hoxhaj para gazetarëve.
Qalaj deri para pak muajsh ishte në krye të Policisë së Kosovës, ndërsa u shkarkua nga kryeministri tashmë në detyrë, Avdullah Hoti.
Në vendin e tij, qeveria në detyrë të mërkurën ka emëruar Samedin Mehmetin./Insajderi.com