
I dënuar nga gjykata e shkallës së parë me burgim efektiv dhe me gjobë, pasi që ishte shpallur fajtor për marrje ryshfeti, ish-drejtori i Repartit të Urologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK), Rexhep Kasumaj, po kërkon nga Gjykata e Apelit që t’i zbutet dënimi.
Kërkesën e tij për zbutje të dënimit, Kasumaj e arsyetoi me disa rrethana lehtësuese, të cilat i ka përmendur në ankesën e saj edhe mbrojtësja e tij, avokatja Merita Stublla, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Në fjalën e tij, para kolegjit të Apelit, Kasumaj tha se vepra që kishte kryer kishte qenë një moment ligësie që mund t’i ndodh çdokujt në jetë.
Edhe pse ka kaluar një vit që nga koha kur kishte ndodhur rasti, i akuzuari tha se ende e përjeton shumë rëndë, duke premtuar se veprime të tilla nuk do të ndodhin më kurrë.
“Ka qenë një moment ligësie që mund t’i ndodh çdo personi njëherë në jetë. Gjatë periudhës time të gjatë profesionale, asnjëherë nuk kam rënë ndesh me ligjin”, tha Kasumaj.
Ndryshe, ankesa e mbrojtjes së Kasumajt, e ushtruar kundër aktgjykimit të gjykatës së shkallës së parë, është shqyrtuar të premten nga një kolegji i Apeli i kryesuar nga gjykatësi, Fillim Skoro.
Gjykata Themelore në Prishtinë, më 7 shkurt 2019, Kasumajn e kishte shpallur fajtor për veprën penale të marrjes së ryshfetit dhe të njëjtin e kishte gjykuar me nëntë muaj burgim dhe 2000 euro gjobë.
Paraprakisht, në shqyrtimin fillestar të mbajtur më 4 shkurt 2019, Kasumaj e kishte pranuar fajësinë për veprën penale për të cilën akuzohej.
Përkundër pranimit të fajësisë, mbrojtja kishte mbetur e pakënaqur me lartësinë e dënimit të shqiptuar.
Sipas ankesës së ushtruar në Apel nga mbrojtësja e Kasumajt, avokatja Merita Stublla, dënimi i shqiptuar ndaj të mbrojturit të saj është shumë i ashpër dhe sipas saj, nëse do të merreshin parasysh rrethanat lehtësuese, ndaj Kasumajt do duhej të shqiptohej një dënim më i butë.
“Mbes prapa ankesës së ushtruar dhe shpresoj që ju si kolegj do të merrni parasysh rrethanat lehtësuese që nuk janë marr parasysh nga shkalla e parë. Zotëri Kasumaj është një profesor doktor, mjek i shquar i cili gjithë karrierën e tij ja ka kushtuar profesionit të tij, detyrimit të tij dhe respektimit të ligjit. Shkalla e parë nuk ka vlerësuar rrethanat lehtësuese siç duhet, pasi nga praktika gjyqësore në Kosovë, për raste me rrethana të ngjashme janë shqiptuar dënime më të buta”, tha avokatja Stublla në fjalën e saj.
Po ashtu, Stublla tha se të mbrojturit të saj i është ndërprerë edhe marrëdhënia e punës, ndërsa sipas saj, deri tash askujt në rrethana të ngjashme nuk i është ndërprerë marrëdhënia e punës.
Në fund të fjalës së saj, avokatja i përmendi edhe rrethanat të cilat përmenden në Kodin Penal për matjen e dënimit, ku tha se sjellja korrekte e të akuzuarit, mosha e tij dhe vlera e mbrojtur që në këtë rast është vetëm 100 euro, duhet të ndikojnë në zbutjen e dënimit, në një masë alternative apo dënim me gjobë.
Ndryshe, sipas aktakuzës së ngritur më 30 nëntor 2018, Rexhep Kasumaj, akuzohet se më 6 korrik 2018, rreth orës 10:30, si Drejtor i Repartit të Urologjisë në QKUK, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm ka kërkuar dhe ka pranuar 100 euro ryshfet nga i dëmtuari Bekim Hoti, mënyrë që nipi i tij F. H, të futej në listën e operimit në mënyrë të përshpejtuar.
Në aktakuzë theksohet se nën masat e simulimit të veprës penale të korrupsionit, i dëmtuari ka hyrë në repartin e Urologjisë dhe në zyrën e tani të pandehurit ia dorëzon paratë e kërkuara, ku më pas të njëjtat gjendën në xhepin e Kasumajt dhe konfiskohen nga hetuesi policor dhe menjëherë arrestohet.