Ish-drejtori që mori ilegalisht mijëra euro nga institucioni i pavarur

Ish-drejtori që mori ilegalisht mijëra euro nga institucioni i pavarur

Enis Berisha u pasurua me rreth dhjetë mijë euro vetëm gjatë vitit 2016, edhe pse që nga viti 2014 atij i kishte skaduar mandati i anëtarit të Bordit të Autoritetit Rregullativ i Hekurudhave (ARH).

Në mënyrë ilegale, ish-drejtori i Përgjithshëm i ARH-së ka pranuar pagë shtesë për së paku 10 muaj gjatë vitit 2016.

Këto keqpërdorime të kryera në institucionin e pavarur – Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave, janë publikuar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA).

Në raportin e përpiluar nga ZKA për Autoritetin Rregullativ të Hekurudhave, për vitin 2016, është theksuar se ish-drejtori i Përgjithshëm i ARH-së ka marrë paga shtesë në mënyrë ilegale.

Që nga viti 2014, kur bordit paraprak i kishte skaduar mandati, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave (ARH) ka funksionuar pa mbikëqyrje nga bordi.  Në tetor të vitit 2016, Kuvendi i Kosovës ka caktuar Bordin Mbikëqyrës i cili ka një mandat pesë vjeçar.

Por, gjatë gjithë këtyre tre viteve dyshohet se ish-drejtori i Përgjithshëm, Enis Berisha, ka marrë pagë shtesë në cilësinë e të ashtuquajturit anëtar të bordit, edhe pse këtë pozitë nuk e mbante më që nga viti 2014.

Megjithatë, Zyra Kombëtare e Auditimit ka dëshmuar përmes auditimit të këtij institucioni se Enis Berisha ka marrë pagë për disa muaj gjatë vitit 2016.

“Edhe gjatë vitit 2016 (për 10 muaj) ishte paguar shtesa për anëtar të Bordit në vlerë 4,900€ për ish-drejtorin ekzekutiv ndonëse Bordit i kishte skaduar mandatati në vitin 2014. Po ashtu, kishte pranuar paga në vlerë 4,283€ (për korrik, gusht, shtator dhe tetor) pas skadimit të kontratës më 15/07/2016 ndonëse kishte vazhduar punën në ARH”, thuhet në raportin e Auditorit Gjeneral.

Përveç se dëmtoi buxhetin e ARH-së – me së paku mbi nëntë mijë euro – Berisha ka dorë edhe në një vendim që mund ta dërgojë drejt mosfunksionimit këtë institucion, raporton Insajderi.

Siç theksohet në raportin e përpiluar nga Zyra Kombëtare e Auditimit (ZKA), ish-drejtori i Përgjithshëm i ARH-së kishte marrë një vendim gjatë vitit 2016 për ndryshimin e strukturës funksionale të institucionit të pavarur. Vendim që konsiderohet “jo-formal” nga Auditori Gjeneral.

“Organizimi i brendshëm respektivisht organogrami i ARH-së miratohet nga Bordi Mbikëqyrës (Bordi). Ish-Drejtori i Përgjithshëm me një vendim jo-formal kishte ndryshuar strukturën funksionale të ARH-së duke krijuar një divizion të ri pa miratim nga bordi për shkak që mandati i bordit kishte skaduar”, thuhet në raportin e Auditorit të Përgjithshëm.

Madje, Autoriteti Rregullativ i Hekurudhave ende vazhdon të funksionojë me strukturën e ndryshuar nga ish-Drejtori i Përgjithshëm respektivisht me një strukturë të pamiratuar nga Bordi.

Ndërkaq, Auditori Gjeneral paralajmëron për rrezikun që ky vendim i Enis Berishës mund t’i shkaktojë ARH-së.

“Funksionimi me një strukturë të pa aprovuar nga Bordi paraqet papajtueshmëri me kërkesat ligjore dhe mund të rezultojë me aktivitete dhe operacione të parregullta”, paralajmëron Zyra Kombëtare e Auditimit, për tentim-ndryshimin e strukturës së ARH-së nga ish-drejtori i saj.

ARH -ja është organ i pavarur që rregullon dhe mbikëqyrë sektorin e hekurudhave në përputhje me legjislacionin në fuqi në Kosovë.