Ish-eurodeputetes Doris Pack i dorëzohet “Urdhri i lirisë”

Ish-eurodeputetes Doris Pack i dorëzohet “Urdhri i lirisë”

Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, ia dorëzoi të shtunën ish-eurodeputetes Doris Pack, “Urdhrin e Lirisë”, të cilin ia kishte ndarë presidenti Ibrahim Rugova në vitin 2004 për kontributin e dhënë për lirinë e Kosovës dhe pavarësinë e saj, njofton Insajderi.

Siç bëhet e ditur në komunikatën e lëshuar nga Zyra e Presidentes, Osmani ka falënderuar Pack-un për angazhimin e saj të gjatë në njohjen e subjektivitetit ndërkombëtar të Kosovës.

“Roli juaj ka qenë shumë i rëndësishëm në gjithë rrugëtimin tonë. Duke filluar nga fundi i viteve ’80 e këtej ju keni qenë promovuese e madhe e së drejtës sonë për liri. Pas çlirimit të vendit, ju i keni shërbyer njohjes dhe promovimit të shtetësisë së Kosovës”, thuhet të ketë thënë presidentja.

Gjatë këtij takimi, u diskutua për procesin e integrimit të rajonit në Bashkimin Europian, si dhe hapat që po i ndërmerr Kosova për ta përshpejtuar integrimin e saj euroatlantik.

“Nga ana tjetër, znj. Pack, anëtare shumëvjecare e Bundestagut gjerman dhe e Parlamentit Europian, si dhe kryetare e Forumit të Gruas të Partive Popullore Europiane (EPP Women), theksoi se i kupton shumë mirë sfidat me të cilat vendi ynë ballafaqohet ende, sfida të kuptueshme për një shtet të ri sikur Kosova”, thuhet më tej në njoftim.

Pack ka thënë se “për ta njohur mirë Kosovën, secili duhet ta kuptojë të kaluarën e saj”, duke shprehur kënaqësinë që ka mundur t’i shërbejë popullit të Kosovës. /Insajderi.com